Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të solidarizohen dhe të ndihmojnë njerëzit në nevojë me këtë fundvit.
“Përmbyllja e vitit 2018 nuk është larg, kanë mbetur edhe 10 ditë. Njerëzit në nevojë dhe institucionet që përkujdesen për këtë kategori të të margjinalizuarve kanë nevojë për përkrahjen Tuaj dhe solidarizimin e shoqërisë dhe jo vetëm përkujdesje institucionale”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.
Ky është njoftimi i plotë i KMDLNj-së:
Përmbyllja e vitit 2018 nuk është larg, kanë mbetur edhe 10 ditë. Njerëzit në nevojë dhe institucionet që përkujdesen për këtë kategori të të margjinalizuarve kanë nevojë për përkrahjen Tuaj dhe solidarizimin e shoqërisë dhe jo vetëm përkujdesje institucionale
Një kujdes në një ditë të veçantë apo në një festë për Ju nuk është shpenzim fort i madh dhe i kushtueshëm, për njerëzit në nevojë është inkurajim se dikush interesohet për ta, se nuk janë të vetmuar, ndonëse në shumë raste janë të mohuar nga familja, përkrahja e juaj i bënë të ndjejnë se janë pjesë e një familje edhe më të madhe, ua kthen vullnetin dhe shpresën si dhe ndjenjën se nuk janë të vetmuar dhe të veçuar.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut Ju thërret të dëshmoni përkushtimin Tuaj dhe solidaritetin duke ndihmuar njerëzit në nevojë dhe institucionet që përkujdesen për ta e që numri nuk është edhe aq i madh. Dikush është i privuar nga liria por jo edhe nga e drejta për të shpresuar për t’u rikthyer në shoqëri, si pjesë e dobishme e saj; tjetri për shkak të rrethanave shëndetësore, sociale, familjare etj është i detyruar ta kalojë një jetë që e vendosë në margjina , të bëjë një jetë që nuk e ka dëshiruar por që duhet ta jetojë edhe në këto kushte!
Kontribuoni dhe ndihmoni që kjo jetë për ta të bëhet më e durueshme, krijoni momente dhe rrethana që t’ua mbuloni zymtësinë e fatit të jetës me çaste gëzimi.
Në bazë të monitorimit të gjendjes KMDLNj Ju rekomandon të kontribuoni me gjësende ushqimore (pako për fundvit) dhe veshmbathje për: Institutin Special në Shtime, Shtëpia për të Moshuar në Prishtinë, HANDIKOS në Prishtinë, Shtëpitë e Komunitetit për Persona me Aftësi të Kufizuara dhe Qendra Korrektuese për të Mitur dhe Femra në Lipjan. Operatorët Kujtesa dhe IPKO mund të kontribuojnë duke ofruar shërbime gratis të internetit dhe sistemit kabllor sidomos në Shtëpinë për të Moshuar në Prishtinë.
KMDLNj shpreson në mirëkuptimin dhe solidaritetin Tuaj për të ndihmuar njerëzit në nevojë që meritojnë t’i gëzojnë të drejtat që u takojnë sikur të gjithë të tjerët. Kontributin Tuaj mund ta dërgoni vet në vendin për të cilin përcaktoheni ose, mund të kontaktoni në tel të KMDLNj – së për informata të nevojshme: 0044 50 05 02, 038 24 90 06.