Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka përkrahur kërkesat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
KMDLNj, lidhur më këto kërkesa i është drejtuar me një letër edhe Qeverisë së Kosovës.
Komunikata e plotë:
Sindikata e Policisë së Kosovës i është drejtuar qeverisë së Kosovës me një kërkesë ku janë arsyetuar përpjekjet e vazhdueshme që i bënë kjo sindikatë për realizimin e të drejtave të Policisë së Kosovës e që janë përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Kërkesa e Sindikatës së Policisë së Kosovës edhe nga qeveritë paraprake nuk ishin përfillur apo ishin bërë përpjekje për zgjidhje të pjesshme e që nuk përmbushte as përsëafërmi nevojat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës prandaj kjo sindikatë e afatizoi përmbushjen e kërkesave në të kundërtën Policia do të bëjë grevë duke e ndërprerë punën. Realisht, sipas ligjeve në fuqi, Policia e Kosovës, si shërbim shumë specifik dhe i pazëvendësueshëm për sigurinë e qytetarëve si dhe sigurinë e shtetit nuk ka të drejtë të bëjë grevë përveç se mund t’i lejohet që për një kohë të shkurtër përfaqësuesit e tyre të mblidhen duke i adresuar shqetësimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, intereset e të cilëve i përfaqësojnë dhe i mbrojnë. Pas shpërthimit të pandemisë së shkaktuar nga COVID – 19, Policia e Kosovës mori përgjegjësi shtesë, me orar të zgjatur, pa u përcaktuar stimulimi material në përputhje me rrethanat e krijuara.
KMDLNj vlerëson se kërkesat e listuara nga Sindikata e Policisë së Kosovës janë krejtësisht të arsyeshme dhe të cilat duhet të përmbushen nga qeveria e Kosovës, pa humbur kohë ose pa kërkuar të fitohet kohë për realizimin e tyre e që pastaj nuk realizohen apo realizohen në mënyrë të cunguar e që ndikon në cilësinë e punës së Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës, sipas shumë hulumtimeve është njëri ndër institucionet më të besueshme sikur që konsiderohet njëra ndër institucionet për zbatim të ligjit ndër më profesionalet në rajon prandaj intervenimi i qeverisë së Kosovës duhet të jetë i menjëhershëm në mënyrë që të ruaj dhe përparojë cilësinë e punës së Policisë së Kosovës.
KMDLNj përkrahë në tërësi kërkesat e Sindikatës së Policisë së Kosovës duke i vlerësuar si të arsyeshme dhe domosdoshmërisht të realizueshme dhe çdo përpjekje për mospërmbushjen e tyre e vlerëson si hapje e derës për rritje të korrupsionit brenda këtij institucioni si dhe dukurive tjera negative.
Është e papranueshme që Policia e Kosovës të përkrahet vetëm kur të pësojë gjetë punës që e bëjnë sikur që KMDLNj kërkon që kjo çështje të zgjidhet duke marrë parasysh praktikat më të mira të vendeve të rajonit që kanë krijuar infrastrukturë ligjore e cila nuk lë asnjë hamendësim për trajtimin e policëve , që nga sigurimi shëndetësorë , rritja e pagave në përputhje me rritjen e kostos së shpenzimeve dhe të tjera e që Policia e Kosovës nuk e ka të siguruar me ligjet aktuale.