Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ka reaguar ndaj raportimeve të medieve për punësime pa konkurse dhe të baza politike në kompanitë publike.
KMDLNj ka kërkuar që ato të hetohen.
Ky është njoftimi i plotë:
Dje, disa medie elektronike dhe të shkruara e informuan opinionin se një anëtarë i Bordit të një kompanie publike, PTK, në afatin (3) tre mujor paska punësuar në këtë kompani katër (4) anëtarë të ngushtë të familjes përkatësisht bijtë dhe vajzat e këtij anëtari të Bordit.
KMDLNj, edhe më herët ka reaguar ashpër kundër punësimeve pa përfillur konkursin dhe kundër çdo standardi profesional e sidomos në raste si ky që, nëse është e vërtetë paraqet konflikt të pastër interesi, ushtrim ndikimi dhe shpërdorim të detyrës zyrtare e që, sipas ligjeve në fuqi është vepër penale dhe si e tillë duhet të hetohet dhe duhet të sanksionohet. E drejta për punë është e drejtë elementare e njeriut që parashihet me nenet 22 dhe 23 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara si dhe me nenin 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për një vend pune duhet të krijohen kushte dhe mundësi të barabarta, pa u diskriminuar asnjë kandidat, as në baza etnike, racore, fetare, gjinore, përkatësisë partiake, bindjeve politike apo statusit në shoqëri.
Punësimi i anëtarëve të ngushtë të familjes në një kompani apo institucion ku jeni bartës i një posti nga i cili mund të ushtrohet ndikim si në rastin e D. E. është rast flagrant i shkeljeve të drejtave të njeriut dhe pa asnjë dyshim , përveç se paraqet konflikt interesi, është edhe vepër penale. Agjencioni Kundër Korrupsionit është dashur të merret dhe duhet të merret me këtë rast dhe raste të ngjashme.
Për hetimin e këtij rasti, KMDLNj kërkon veprim të shpejtë dhe ndërmarrje të masave të menjëhershme siç është pezullimi i këtyre vendeve të punës për 4 familjarë të anëtarit të Bordit të PTK-së, deri në një hetim përfundimtar si dhe pezullimin dhe lirimin nga të qenit anëtar i Bordit për të dyshuarin, deri në marrje të një vendimi përfundimtar.
Në kohën kur mijëra e mijëra të rinjë kosovarë, të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, bredhin nga dera në derë, nga konkursi në konkurs për një vend pune që e meritojnë, po lulëzon klientelizmi partiak duke i eliminuar profesionistët dhe duke i punësuar, pa asnjë kriter aktivistët partiakë dhe politikë.
Opinioni në Kosovë është i informuar se shumë të rinjë kosovarë, të diplomuar dhe me tituj shkencorë për shkak të kushteve të rënda ekonomike janë të detyruar të bëjnë punë që nuk kanë të bëjnë asgjë me përgatitjet e tyre profesionale prandaj dhe rrezikojnë jetën e tyre duke përfunduar edhe në fatalitet.