Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) në Prishtinë i janë drejtuar udhëheqësit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, kryetari i saj, Fadil Hoxha dhe nënkryetari Arsim Halili me pohimin se ndaj tyre, për shkak të aktivitetit sindikalist, drejtuesit e RTK-së po hakmerren duke i përndjekur, kërcënuar, duke u dërguar para Komisionit disiplinor e deri te kërcënimi me largim nga puna.
Sipas njoftimit të KMDLNj-së, drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK – së i kanë bashkangjitur edhe një dosje me deklarata e materiale të tjera për të mbështetur pohimin, se sipas tyre në vazhdimësi janë kërcënuar nga drejtori Mentor Shala.
“Në pohimin e tyre deklarojnë se në vitin 2015 drejtori Shala i ka larguar në mënyrë arbitrare Halili dhe Hoxha mirëpo Inspektorati i Punës e ka hedhur poshtë këtë vendim. Në ndërkohë, ndaj zëvendëskryetarit të SPRTK-së janë ndërmarrë veprime dhe masa konkrete kurse kryetari, pas intervistës në emisionin “ Interaktiv” në KTV të datës 07.02.2017 është dërguar në Komisionin Disiplinor të RTK – së me pretendimin se në këtë emision e ka dezinformuar opinionin lidhur me punën e RTK – së, duke paraqitur të dhëna të pavërteta që kanë për qëllim diskreditimin dhe rrënimin e RTK- së. Tash pritet vendimi i Komisionit Disiplinor të RTK-së”, thuhet në reagim të KMDLNj-së, transmeton Aktivpress.
Ky këshill, vlerëson se mosmarrëveshjet dhe përshkallëzimi i situatës, sipas tyre seriozisht po e dëmton punën e RTK-së sikur edhe të drejtën ligjore për organizim dhe veprim sindikalist që duhet të mbrohet me ligj pavarësisht emrave, si të atyre që janë në krye të RTK-së dhe SPRTK-së.
“KMDLNj e kundërshton çdo veprim që delë jashtë përgjegjësive sindikaliste e që thirret në të drejtat sindikaliste”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij këshilli, konfrontim i vazhdueshëm midis drejtuesve të RTK-së dhe atyre të SPRTK-së e ka sjellur këtë medium publik në një ngërç veprues që vërtetë e rrezikon RTK –në që financohet nga taksapaguesit kosovarë.
“KMDLNj kërkon të formohet një komision nga Kuvendi i Kosovës, i cili do të trajtonte zhvillimet në RTK pas së cilave do të dilte me rekomandime konkrete që nuk përjashton as masat ligjore që do të merren nga institucionet përkatëse, hetuesia dhe gjyqësori”, theksohet në njoftim.
Sipas KMDNj-së, në rastin e televizionit publik janë dy të vërteta:
“a) e para; drejtuesit e RTK-së deklarojnë se aktivitetet sindikaliste të SP RTK –së nuk janë aktivitete sindikaliste por janë veprime që kanë për qëllim rrënimin e imazhit të RTK –së dhe shkatërrimin e këtij mediumi publik informativ dhe rrjedhimisht e shkelin, Rregulloren e Punës prandaj ndaj tyre po ndërmerren masa disiplinore si shkelës të Rregullores së Punës e jo si aktivistë sindikalistë!
b) E dyta; drejtues të SPRTK-së që sipas pohimit të tyre përfaqësojnë interesat e 400 punëtorëve të RTK –së deklarojnë se nuk po e dëmtojnë imazhin e RTK –së por se, me aktivitetin e tyre , duke denoncuar nepotizmin gjatë punësimit, mbipopullimin e të punësuarve që kryesisht janë joprofesionistë të fushës, shpërdorimet financiare dhe detyrës zyrtare, mungesën e sigurimeve shëndetësore për të punësuarit në këtë medium publik informativ si dhe mungesën e skajshme të transparencës dhe llogaridhënies po përdoren si pretekst nga drejtues të RTK –së për përndjekje dhe hakmarrje ndaj tyre duke e instrumentalizuar në këtë drejtim dhe për qëllimet e tyre Komisionin Disiplinor të RTK-së”, thuhet në njoftim për media.