Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), nëpërmes një reagimi, i ka kërkuar publikisht presidentit të Kosovës, Hasim Thaçi, që në asnjë mënyrë nuk mund ta dekretojë Miroslav Llabanin për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Reagimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si institucioni më i lartë, i fundit dhe i pakontestueshën i drejtësisë, si në çdo vend të botës, edhe këtu, kërkon standarde të larta njerëzore, profesionale dhe morale për të gjithë kandidatët që duan të bëhen pjesë e kësaj gjykate . Kosova, si vend dhe shtet me një traditë të shkurtër demokratike dhe me një sistem të drejtësisë të brishtë, të ndjeshëm dhe të cenueshëm nga shumë ndikime, në radhë të parë të atyre politike, ka bërë një kapërcim negativ duke bërë ulje të ndjeshme të kritereve që kërkohen për këtë profil të “zotërve që ndajnë dhe e mbikëqyrin sistemin e drejtësisë” në Kosovë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, qe një kohë është jofunksionale për shkak të skadimit të kontratës të disa gjykatësve si dhe dështimit të votimit në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e tre gjykatësve shqiptarë kurse, pa asnjë problem u votua kandidati i komunitetit serb z. Mirosllav Llaban, me votën thuaja ekskluzivisht të shqiptarëve. Kandidatët shqiptarë nuk kaluan për shkak të mospajtueshmërisë së subjekteve politike që të votohen kandidatët e propozuar. Thuaja është bërë si rregull në Kosovë që për poste që paraqesin interes për subjektet politike, të dështojë votimi nëse nuk kalojnë kandidatët e tyre ndonëse nuk i plotësojnë kushtet për postin e synuar e sidomos për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë arsye shkohet në rishpallje të konkursit dhe përsëritje të procedurës, deri sa kandidati politik dhe partiak të bëhet me post. Prandaj edhe kemi “ zbutje “ të standardeve dhe kritereve për dallim nga shtetet e tjera ku posti i gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese është post që ju nderon dhe ku mund të konkurroni pasi t’i keni kaluar thuaja të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe ta arrini një moshë të pjekurisë njerëzore dhe juridike kurse, në Kosovë, thuaja asnjë gjykatës i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka asnjë ditë të vetme pune në gjykata sikur që, një numër i tyre ende nuk e ka kaluar “ adoleshencën “ juridike dhe pretendojnë një post ku kërkohet përvoja të cilën, ose e fabrikojnë, ose e sigurojnë përmes përkrahjes politike dhe partiake.
Nuk ka asnjë dyshim se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është e ndikuar politikisht, që nga themelimi i saj e deri më tani. Ky ndikim politik rrezikon të bëhet modus vivendi dhe përcaktues i marrjes së vendimeve në një periudhë shumë të ndjeshme, të rrezikshme dhe të rëndësishme për Kosovën.
Instalimi i kandidatëve politikë ( partiakë ) në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ndikon në tërë hallkën e sistemit juridik . Kohëve të fundit, me votimin e z. Llaban dhe i cili po e pret dekretimin nga presidenti Thaçi, është edhe një rrezik, kriminalizimi i kësaj Gjykate aq më parë që kandidati Llaban është arrestuar dhe dënuar në Serbi për një vepër penale që është në kundërshtim të plotë me mandatin dhe misionin që e ka një gjykatës i Gjykatës Kushtetuese dhe vet Gjykata Kushtetuese. Për këtë arsye, kohë më parë KMDLNj i është drejtuar me një letër të hapur presidentit Hashim Thaçi me kërkesë që të mos e dekretojë z. Llaban, derisa të sqarohet pozicioni i tij përballë ligjit dhe të së kaluarës së dyshuar të tij kriminale. Në ndërkohë dolën faktet se z. Llaban, si i punësuar në Doganat e Serbisë, si pjesë e një grupi të organizuar kriminal është dënuar për vepër penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare për një shifër prej 8 milionë eurosh dhe se ndaj z. Llaban është shpallur një fletarrest ndërkombëtar. Z. Llaban, edhe në kohën kur ka qenë i punësuar në Doganat e Serbisë, ka qenë i punësuar edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe KMDLNj nuk ka informata të sigurta nëse drejtuesit e kësaj Gjykate kanë qenë të informuar për këtë. Nëse kanë qenë të informuar atëherë ata duhet t’i nënshtrohen përgjegjësisë në bazë të hierarkisë së kësaj përgjegjësie.
KMDLNj ka kërkuar që prokuroria e shtetit të fillojë hetimet ndaj z. Llaban për fshehje të fakteve dhe paraqitje të rremë të një përmbajtjeje, duke ofruar dëshmi se nuk ka qenë i dënuar apo se është nën hetime e që është shkelje e një kriteri ndër kryesorët për gjykatës të Gjykatës Kushtetuses, integriteti moral. Tash, nuk ka asnjë mëdyshje se z. Llaban ka qenë i dënuar për një vepër të rëndë penale dhe se presidenti Thaçi duhet ta refuzojë dekretimin e tij duke filluar procedurat për një kandidat tjetër nga komuniteti serb për Gjykatë Kushtetuese. Për KMDLNj është i habitshëm fakti pse prokuroria e shtetit nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj z. Llaban për shkak të falsifikimit të dokumentacion në bazë të cilave ka zënë një vend pune të mirë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe për vite me radhë ka marrë rrogë të majme . Pas një hetimi dhe procesi gjyqësorë dhe pas administrimit të provave, nëse dëshmohet fajësia e z. Llaban, ai duhet të detyrohet t’i kthejë buxhetit të Kosovës të gjitha pagat dhe mëditjet në bazë të dokumentacionit të falsifikuar. Paramendojeni situatën nëse presidenti Thaçi do ta dekretonte z. Llaban për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese dhe në udhëtimin e parë zyrtar apo privat jashtë vendit, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar do të arrestohej dhe do të ekstradohej në Serbi ! Prandaj, presidenti Thaçi, në asnjë mënyrë nuk duhet ta dekretojë z. Llaban për Gjykatën Kushtetuese por edhe duhet të kërkohet përgjegjësi konkrete për mashtrim, falsifikim dhe dëmtim të Buxhetit të Kosovës.
KMDLNj edhe më parë ka kundërshtuar mënyrën se si përzgjidhen dhe intervistohen kandidatët për Gjykatë Kushtetuese aq më parë që kandidati më i dobët për këtë gjykatë është më i përgatitur se anëtari më profesional i Panelit intervistues i përbërë nga përfaqësues të subjekteve politike të Kuvendit të Kosovës prandaj edhe po ka ndikime aq të mëdha politike në këtë përzgjedhje dhe votim .
Në këtë kontekst, KMDLNj kërkon hetim të brendshëm se si ishte e mundur që një rrjete sociale të qarkullojë fotografia e njërit prej kandidatëve seriozë për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, Vigan Qorolli aq më parë që kjo mund të interpretohet edhe si përkrahje të këtij kandidati dhe diskriminim i kandidatëve tjerë. Sipas kësaj logjike, ai që i ka siguruar prani të zotit Qorolli në rrjetet sociale duke e fotografuar me celularë, nëse është pjesë e Panelit Intervistues, është i anshëm dhe e dëmton z. Qoroll duke ia shkelur privatësinë e në rastin konkret duket se nuk ka shkelje të privatësisë për faktin se z. Qorolli është postues i një fotoje të ndaluar. Në praktikat e mëparshme të intervistimit për Gjykatë Kushtetuese, nuk ka pasur raste të fotografimit të kandidatëve para ose gjatë intervistimit sikur të ishin pjesë e Kallashit, në Cobra City. Kjo, në të ardhmen duhet të eliminohet në çdo mënyrë, ose nuk duhet të bëhen përjashtime vetëm për kandidatë të caktuar.
25 qershor 2018, Prishtinë | Shërbimi për Informim