Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), përmes një letre publike drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka bërë atij thirrje që të veprojë shpejt dhe të shfrytëzojë kompetencat dhe mundësitë për të ndaluar “vrasjen e qëllimshme të mjedisit” në Shtërpcë.
KMDLNj fton të gjitha OJQ-të për ruajtje të mjedisit, për të drejtat e njeriut, deputetët e Kuvendit të Kosovës, partitë politike që fuqishëm të kundërshtojnë projektin e Shtërpcës përmes deklarimeve publike, pjesëmarrjes në protesta dhe presionit që do t”iu bëjnë institucioneve përgjegjëse.
Letra e plotë:
I nderuari kryetar i Kuvendit,
Qytetarët e Shtërpcës dhe banorët e fshatrave të kësaj komune disa herë protestuan kundër përpjekjeve për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Lepenc duke vlerësuar, me të drejtë se po shkatërrohet mjedisi në mënyrë të dhunshme, e që do të prodhojë efekte zingjirore , me pasoja shumë të rënda mjedisore. Përkundër se kundërshtimet dhe protestat kanë qenë krejtësisht paqësore , në dobi të qytetarit dhe komunitetit, Policia e Kosovës, duke e përdorur forcën e tepruar i ka shpërndarë këto protesta në mënyrë të dhunshme. KMDLNj ju përkujton se këto protesta, të arsyeshme dhe të drejta e në mbrojtje të mjedisit janë organizuar nga banorë e të gjitha përkatësive etnike, shqiptarë, serbë, etj. që nënkupton se nuk ishin të manipuluara, as nga politika e as nga grupet e interesit por se qëllimi ishte mbrojtja e interesit të të gjithë banorëve dhe ruajtja e ambientit ku ata jetojnë, punojnë dhe gjallërojnë.
Për më keq, ministri i Qeverisë së resorit përkatës për çështje mjedisore, z. Fatmir Matoshi, para komisionit parlamentar deklaroi se ai nuk ka as fuqi e as kapacitet ta ndalojë këtë degradim të ambientit por se këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi i Kosovës, Kryetar i të cilit jeni aktualisht.
I nderuari kryetar Veseli,
Nëse ministri i resorit përkatës dhe përgjegjës i Qeverisë së Kosovës për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor deklaron publikisht se nuk ka fuqi ta ndërpresë këtë ekocid në Shtërpcë, a nënkupton kjo se dikush i fuqishëm qëndron prapa këtij krimi ekologjik dhe se për interesa personale apo klanore është në gjendje ta shkatërrojë mjedisin në këtë vend të mrekullueshëm duke shkaktuar dëme të pariparueshme strategjike, si për mjedisin ashtu edhe për banorët. Ministri Matoshi deklaroi se investitorët (kriminelët e mjedisit) kanë siguruar dokumentacion të rregullt dhe të vlefshëm për këtë projekt e që, sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një extra korrupcion ku janë përfshirë edhe njerëz të fuqishëm të pushtetit. Në asnjë vend demokratik dhe normal, për një investim sikur ky në Shtërpcë, nuk e vendosin, as politika e as investitorët por e vendosin banorët sepse është në interes të banorëve, e që KMDLNj e vlerëson shumë pozitive, sepse intereset e tyre nuk i kanë ndarë në vija partiake, politike apo etnike por kanë marrë parasysh interesin e përbashkët; një mjedis të pastër, të shëndetshëm që ofron kushte për një zhvillim normal dhe jetesë. Shtërpca dhe rajoni i Brezovicës është një mjedis ku bashkëjetojnë një kohë të gjatë diversitetet etnike, kulturore dhe të tjera dhe ky veprim i papërgjegjshëm i oligarkëve ekonomikë dhe politik seriozisht e rrezikon këtë diversitet.
I nderuari kryetar i Kuvendit,
Pasi i keni deklaruar luftë të hapur korrupcionit, nepotizmit dhe krimit të organizuar në subjektin që e drejtoni e që ka hasur në përkrahje të gjerë të opinionit që kërkon ndryshime, e keni rastin që me një vendim të Kuvendit të Kosovës (duke thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme ku, pa asnjë dyshim do ta merrni përkrahjen e të gjithë deputetëve) ta ndërpreni këtë banditizëm ekologjik, kësaj radhe në Shtërpcë e pastaj edhe në komunat tjera ku ka burime të pasura me ujë. Ndërprerja e punimeve në Shtërpcë, me angazhimin Tuaj dhe të Kuvendit të Kosovës pastaj do të hapte rrugë hetimeve nga Prokuroria Speciale për mënyrën si është siguruar leja nga investitorët si dhe do të bëheshin hetime për përdorimin e forcës nga Policia e Kosovës kundër protestuesve paqësorë që, me të drejtë po protestojnë për ruajtje të mjedisit.
Ruajtja e mjedisit për shumë shtete dhe vende është detyrim ligjor, madje kanë vendosur edhe taksën ekologjike, sikur që llogaritet të jetë njëra ndër të drejtat elementare të njeriut që rregullohet me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut siç janë: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeiut e KB, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës.
KMDLNj fton të gjitha OJQ-të për ruajtje të mjedisit, për të drejtat e njeriut, deputetët e Kuvendit të Kosovës, partitë politike që fuqishëm të kundërshtojnë projektin e Shtërpcës përmes deklarimeve publike, pjesëmarrjes në protesta dhe presionit që do t”iu bëjnë institucioneve përgjegjëse.
I nderuari kryetar Veseli,
Koha është të veproni shpejt dhe menjëherë dhe t’i shfrytëzoni kompetencat dhe mundësitë për të penguar dhe ndaluar këtë “vrasje të qëllimshme të mjedisit” në Shtërpcë. Në të kundërtën, nëse nuk veproni edhe Ju si dhe Kuvendi i Kosovës do të bartni përgjegjësi për mosveprim dhe pjesëmarrje në ekocid duke rrezikuar shëndetin, jetën dhe ardhmërinë e banorëve të kësaj komune, pavarësisht përkatësisë etnike dhe të tjera.