Në kuadër të përparimit të të drejtave të njeriut në Kosovë e veçanërisht të drejtave të fëmijëve, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka mbajtur ligjeratë mbi të drejtat e fëmijëve për nxënësit e shkollës “Meto Bajrajtari”.
Në bashkëpunim me mësimdhënësen e edukatës qytetare të shkollës, znj. Albulena Osmani nxënësit kanë shprehur dëshirën që të vizitojnë zyret e KMDLNj-së dhe të njoftohen më shumë për të drejtat e njeriut në përgjithësi, të drejtat e fëmijëve në Kosovë dhe për punën që bënë
KMDLNj.
Nxënësve, nga Valentina Demolli Koliqi dhe Nesibe Grajçevci Bilalli u është mbajtur një ligjeratë mbi të drejtat e njeriut, dokumentet ndërkombëtare që garatojnë të drejtat e njeriut dhe dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve.
Gjithashtu, u prezantua edhe gjendja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe dokumentet e ligjet që garantojnë dhe mbrojnë të drejtat e fëmijëve, strategjitë e rregulloret.
Po ashtu, vëmendje të veçantë iu kushtua punës ndër vite të KMDLNj-së si organizata e parë joqeveritare që ka për qëllim mbrojtjen, përparimin, avokimin, dokumentimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të drejtave të fëmijëve në veçanti.
Nxënësit u shprehen mjaft të kënaqur dhe pohuan se ka mungesë të njohurive dhe mësimeve mbi të drejtat e njeriut, e ata madje nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të drejtat që u takojnë dhe janë të garantuara.
Ata kërkuan që të ketë më shumë ligjerata të tilla dhe pohuan se ata kanë marrë njohuri të çmueshme duke rekomanduar që ligjërata të ngjashme të mbahen për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre apo për të gjithë fëmijët.