KMDLNj, në fillim të muajit gusht ka ekzekutuar pagesën e tretë (të fundit) për personat e privuar nga liria që janë liruar në kohën e pandemisë të shkaktuar nga COVID 19 , që janë në vuajtje të dënimit dhe familjet e tyre. Përkrahjen financiare për këtë intervenim krejtësisht humanitar e kanë siguruar KFOS – Zyra në Kosovë dhe OSF në Neë York. KMDLNj , Zyra në Prishtinë dhe zyrat rajonale për tre (3) muaj radhazi përmes Projektit të Ndihmës Humanitare për familjet në nevojë për personat e privuar nga liria dhe ata të liruar në kohë pandemie ka ndihmuar 185 familje me nga 170 euro për 3 muaj, përfshirë këtu muajin qershor, korrik dhe gusht. Pagesat janë bërë në çdo fillim të muajit, midis datave 1-3 të muajit përkatës. Përfituesit e këtij intervenimi humanitar të përkrahur nga KFOS dhe OSI – Zyra në Neë York kanë përfituar 94,350 euro
Kriteri kryesor për të qenë përfitues i kësaj ndihme ka qenë gjendja ekonomiko-sociale e familjeve të personave të privuar nga liria që ndodhen në institucione korrektuese apo të liruar në kohë pandemie. Përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë , Shërbimin Korrektues të Kosovës, Shërbimin Sprovues të Kosovës, Panelin për Lirim me Kusht kemi arritur të hartojmë listën finale prej 185 familjeve. Që nga informimi se KMDLNj do të zbatojë këtë projekt interesimi i qytetarëve për të qenë përfitues ka qenë në raport pesë (5) fish më i lartë se numri i mundshëm i përfituesve.
Të gjithë përfituesit kanë qenë familje me kushte të vështira ekonomiko-sociale, shumica e tyre kanë jetuar me të ardhura prej 100 euro në muaj, një pjesë e tyre kanë pasur vetëm 90 euro (nga prindërit pensionerë) dhe një përqindje e konsiderueshme kanë qenë nëna vetushqyese të cilat nuk kanë pasur asnjë të ardhur.
KMDLNj për këtë periudhë ka marrë reagime shumë pozitive nga ana e familjeve përfituese, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomiko –sociale të cilën ua ka rënduar edhe më tepër gjendja e pandemisë. Ministria e Drejtësisë , SHKK , SHSK dhe institucionet tjera , partnere jomateriale në këtë projekt janë mirënjohës donatorëve KFOS dhe OSI – Zyra në Neë York sikur edhe KMDLNj me të cilën kanë bashkëpunim shumëvjeçar. Raporti i familjeve që kanë përfituar është një pasqyrë e raportit të popullsisë së Kosovës, përfshirë këtu ndarjen gjinore, të miturit por edhe kriterin e përkatësisë etnike. Të gjitha familjet përfituese kanë pohuar se këto mjete i kanë shfrytëzuar kryesisht për shportë familjare.
KMDLNj e ka realizuar në përpikëri të gjithë projektin duke falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët të cilët kanë dhënë ndihmë në realizimin e projektit në fjalë.
KMDLNj e vlerëson si përkrahje të jashtëzakonshme për të dënuarit dhe familjet e tyre sigurimin mjeteve financiare nga KFOS dhe OSF – Zyra në Neë York dhe shpreh keqardhje që për shkak të mjeteve të kufizuar nuk ka qenë në gjendje të përkrah më shumë familje të personave të privuar nga liria dhe të liruar në kohë pandemie.