KMDLNj përkrahë MASHT–in dhe ministrin Bytyqi për vendosje të rendit në sistemin arsimor të Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë disa herë ka reaguar për gjendjen në arsimin kosovar, që nga ai elementar e deri te ai universitar. KMDLNj ka vlerësuar se sistemi arsimor në Kosovë është larg përmbushjes së detyrimit për një arsim cilësorë, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe nevojat e kohës.
Degradimi i sistemit arsimor në Kosovë është si pasojë e politizimit të skajshëm dhe ndikimit partiak në vendosjen e kuadrove jokompetente , në vende kompetente. Politizimi i Bordit për Akreditim dhe Cilësi, Bordeve, Këshillit Drejtues të UP dhe manipulimi për qëllime politike të organizatave studentore ka ndikuar në rënien e cilësisë dhe degradimit të UP. Hapja e universiteteve publike politike si rezultat i premtimeve elektorale, pa siguruar kuadër të kualifikuar dhe profesional mësimdhënës ka ndikuar që niveli universitar të prodhojë në mënyrë serike analfabetë funksionalë me diploma dhe tituj shkencorë.
Nepotizmi i ashtëzuar në UP ka krijuar struktura familjare të parapaguara në poste udhëheqëse dhe uzurpim të katedrës.
Monopolizimi i katedrës në baza politike dhe partiake e ka degraduar skajshëm mësimdhënien sikur edhe ka ngulfatur hapësirën për mësimdhënës kompetent dhe të përgjegjshëm duke etabluar antivlera të ricikluara që kanë kontribuar për këtë gjendje që e kemi.
Gradimi universitar është bërë krejtësisht sipas kritereve të dëgjueshmërisë e jo në bazë të kritereve profesionale siç bëhet në universitetet e mirëfillta.
Universiteti i Prishtinës , në mungesë të një planifikimi strategjik, ka regjistruar një numër aq të madh të studentëve në drejtimet e juridikut dhe ekonomisë duke krijuar kështu një armatë 10 mijëra të të papunëve dhe pa shpresë se do të gjejnë një vend pune.
Vetëm në Universitetin e Prishtinës nuk kërkohet mbrojtja e një titulli shkencor, pas gradimit e që nënkupton se nëse gradoheni në doktor shkence deri në fund të karrierës akademike do ta keni at titull edhe nëse në ndërkohë nuk e keni asnjë punim shkencor.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në vend se t’i shpërblejë studentët e dalluar duke ua ngritur bursën, ata e zvogëluan atë duke destimuluar dhe demotivuar studentët e shkëlqyer thuaja se në UP shumica e studentëve janë të tillë.
KMDLNj propozon që bursa vjetore për studentë të dalluar të mos jetë 900 euro por 1200 euro. Kjo do të ishte një bursë minimale për studentët e dalluar.
Gjithashtu, KMDLNj mbështet kërkesën e MASHT dhe ministrit Bytyqi të zvogëlohet numri i universiteteve publike sikur edhe kërkesën që punonjësit e arsimit t’i nënshtrohen vlerësimit profesional dhe pedagogjik e që pa asnjë arsye po kundërshtohet nga SBASHK – u.
Ky vlerësim zbatohet qe 5 vite në Republikën e Shqipërisë e mos të flasim për shtetet tjera. Ky vlerësim do të nxisë punonjësit arsimorë ta përmirësojnë performancën e tyre e të mos vendnumërojnë sikur që e nxit konkurencën pozitive përmes prurjeve të reja.
Arsimimi në Kosovë lë shumë për të dëshiruar në të gjitha nivelet dhe është koha e fundit që përmes reformave rrënjësore të vendoset në rrugë të mbarë ndryshe agonia në të cilën gjendet arsimi, lehtësisht mund të përfundojë në një rrënim total të të gjitha vlerave. Kundërshtimi për t’i nënshtruar testit të PISA –së është pasqyra më e mirë e gjendjes në arsim. Kosova ka talentë të jashtëzakonshëm raste individuale të studentëve shembullorë brenda dhe jashtë Kosovës por ka një sistem të degraduar të arsimit dhe të cilit duhet t’i jepet fundi.
Nga ky MASHT apo ky ministër apo një MASHT apo ministër tjetër nuk ka rëndësi. Sa më parë të bëhet do të jetë më mirë, sa më shumë të vonohemi do ta legalizojmë analfabetizmin universitar dhe atë shkencor.