KMDLNj: Pse Isa Mustafa u dërgua në Spitalin Amerikan e jo në QKUK

Prishtinë | 16 Jan 2018 | 12:17 | Nga

Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të ish kryeministrit të Kosovës , Isa Mustafa e që është edhe kryetar i LDK-së , ai u dërgua për trajtim , thuhet se kjo është bërë nga familja , në Spitalin Amerikan ku pas qëndrimit 6-7 ditorë , me një aeroplan special u dërgua për trajtim apo , siç thuhet për rehabilitim në njërin nga spitalet në Gjermani . Isa Mustafa është person publik , ish kryeministër i Kosovës , kryetar i LDK-së e që nënkupton se interesimi për gjendjen shëndetësore të tij ishte i madh dhe i arsyeshëm . Kishte shumë kundërthënie për gjendjen e tij shëndetësore duke bërë përpjekje që të mos tregohet e vërteta gjë që nuk ishte dhe nuk është në rregull . Sëmundja nuk është diçka që dikush e dëshiron apo shprehje e vullnetit , as për të sëmurin apo familjarët . Për KMDLNj –në është joserioze deklarata e Spitalit Amerikan i cili e paraqet gjendjen shëndetësore të ish kryeministrit Mustafa të stabilizuar e në ndërkohë që ai , me urgjencë , me një aeroplan të veçantë dërgohet në Gjermani , për trajtim të mëtutjeshëm  . Është edhe shumë më joserioz pohimi i një bashkëpartiaku që thotë se : “ kryeministri Mustafa është mirë me shëndet dhe se është me humor të mirë …” dhe vetëm ka munguar  pohimi se zoti Mustafa , nuk po dërgohet për trajtim shëndetësor për një përkeqësim serioz të shëndetit  në Gjermani por se po dërgohet të marrë pjesë në Reality Show. Këto dezinformata të përpjekjes për mëshehje të informatave të gjendjes shëndetësore të personave publikë vetëm sa shkaktojnë huti në opinion dhe në familje e që nuk është as e drejtë e as e moralshme. Bartësit e posteve kryesore të pushtetit në Kosovë , kryeministri  z. Haradinaj , kryetari i Kuvendit z. Veseli dhe presidenti i Kosovës , z. Thaçi treguan gatishmëri që të ofrojnë të gjitha mundësitë për shërimin e zotit Mustafa  që është krejtësisht në rregull mirëpo KMDLNj ka tjetër shqetësim e ai është se çfarë gjendje kemi në shëndetësinë publike kur një ish kryeministër apo zyrtar i lartë shtetërorë kërkon trajtim shëndetësorë në një institucion privat duke anashkaluar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si institucion shëndetësorë shtetërorë. Kjo e vë në pikëpyetje të madhe besueshmërinë ndaj institucioneve shëndetësore publike dhe është një porosi e keqe për qytetarët e Kosovës të cilët mendojnë se me me taksat e tyre  po kontribuojnë për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore e në fakt këto taksa më shumë po i pasurojnë spitalet private të cilat , pa iu nënshtruar asnjë kontrolli shtetërorë po pasurohen skajshmërisht .

Kjo gjendje e mjerë dhe humbje e skajshme e besueshmërisë në institucionet e shëndetit publik duhet të jetë alarmuese për Ministrinë e Shëndetësisë e cila, që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk ishte në anën e qytetarit e që nuk është as sot ndërkaq që me marrëveshje me spitalet private në Kosovë dhe vendet tjera pamëshirshëm e dëmton buxhetin e shtetit dhe shëndetin e qytetarit . Nuk ndodhë në shtetet tjera  përveç në Ballkan që bartësit e posteve të larta publike të trajtohen në spitalet private ( shumë herë ma para të shtetit ) sikur që ndodhë në Kosovë . Është gjithashtu i habitshëm fakti se mjekët që punojnë në institucionet publike shëndetësore nuk trajtohen në përputhje me kapacitetin profesional që e kanë kurse , po të njëjtit mjekë që angazhohen në spitalet private kanë një trajtim dhe besueshmëri tjetër. Për fat të keq , spitalet private në Kosovë janë reparte shumë përfituese të QKUK-së që ua rekruton pacientët e që pastaj trajtohen në këto spitale private për çka ka edhe procese gjyqësore.

KMDLNj i uron shërim të shpejtë ish kryeministrit Isa Mustafa por përkujton se pa forcimin dhe profesionalizim të shëndetësisë publike , shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës e që nuk kanë mundësi të trajtohen në spitalet private do ta kenë shëndetin e rrezikuar.

KMDLNj kërkon kontrollë më të madh mbi institucionet shëndetësore private nga ana e shtetit , si në aspektin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore që ofrojnë ashtu edhe për kontratat që këto i bëjnë me kompanitë e sigurimeve .

Përfundimisht KMDLNj kërkon që të rishikohet Ligji për Shëndetësi sikur edhe të funksionalizohet  Ligji për Sigurime Shëndetësore i cili do të ishte diskriminues nëse mbledhë premiume para se të jetë në gjendje të ofrojë shërbime.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme