Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga partitë politike që të krijohen kushtet e barabarta për fushatë, si për kandidatë ashtu edhe për parti politike.
Njoftimi i plotë:
Ndonëse zyrtarisht ende nuk ka filluar fushata zgjedhore, kandidatë të subjekteve politike sikur edhe partitë politike të certifikuara për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, me të madhe po bëjnë fushatë duke u përqëndruar në vendet ku kanë më shumë votues sikur edhe në vende ku kërkojnë vota të reja. Fjalori i përdorur deri më tani është përafërsisht në kufijtë e së lejuares , nuk ka premtime të forta për liberalizim të vizave apo integrime në BE –e, NATO etj. Deri më tani nuk kemi parë asnjë program të qartë që , në përputhje me situaten politike dhe mundësitë ekonomike do të mund të realizohej. Gjatë parafushatës zgjedhore, KMDLNj nuk ka vërejtur ndonjë rast që kandidati apo subjekti politik është penguar për të takuar votuesit e mundshëm apo qytetarët tjerë që kanë shfaqur interesim për të marrë pjesë në këto takime. Vërejtja kryesore e KMDLNj –së, në këtë fazë është mungesa totale e respektimit të kushteve anticovid e që është përcaktuar nga institucionet kompetente shëndetësore dhe shtetërore të Kosovës sikur që janë: vendosja e maskave mbrojtëse, mbajtja e distancës sociale sikur edhe grumbullimi i shumë njerëzve në hapësira të ngushta dhe të papërshtatshme. Në këtë kontekst autoritetet duhet të jenë shumë në të rrepta në shqiptimin e masave ndëshkuese për të gjithë shkelësit, pa bërë asnjë përjashtim dhe pa zbatuar standarde të dyfishta.
Ditë më përë, kryetari i LVV–së dhe kandidati për kryeminister, Albin Kurti, bashkë me Vjosa Osmanin, U.D. e Presidentes së Kosovës vizituan Mitrovicën, përkatësisht pjesën që nuk është nën kontrollë të plotë të autoriteteve kosovare, si pjesë e fushatës. Pas kësaj, një grup i serbëve penguan vazhdimin e fushatës duke i fyer të gjithë të pranishmit, shqiptarët në përgjithësi sikur edhe duke brohoritur: “Ovo je Serbia – Këtu është Serbi “pas së cilës, nën mbrojtje të policisë u tërhoqën nga aktivitetet dhe u kthyen prapa. Reagimet e subjekteve politike ishin kryesisht të natyrës folklorike kurse reagimet e Listes Serbe dhe të Aleksandar Vuçiqit ishin krejtësisht të njëjta.
Më datë 1 shkurt 2021, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani vizituan Skenderajn dhe disa lokacione për të takuar simpatizantët dhe votuesit sikur kandidatët e tjerë dhe subjektet politike. Gjatë kësaj vizite hasën në kundërshtim duke brohoritur parulla: UÇK, UÇK dhe Hashim Thaçi, Hashim Thaçi. Më pastaj, Albin Kurti u gjuajtë me vezë dhe u pengua të vazhdojë aktivitetin partiak sikur që në mbështetje të Forcave Speciale të Policisë së Kosovës u largua..
Edhe pas kësaj vizite pati reagime që nuk kontribuojnë në krijimin e kushteve të barabarta për fushatë për të gjithë garuesit.
Për KMDLNj, pengimi i Albin Kurtit dhe ekipit të tij për të bërë fushatë është shkelje e të drejtave të njeriut që i garantohen me ligj prandaj kërkon respektimin e kësaj të drejteje , në rastin konkret për Albin Kurtin sikur edhe për të gjithë ata që e kanë këtë të drejtë.
KMDLNj ua përkujton të gjithëve se vlerësimin për shkallën e rrezikut në Kosovë apo në një pjesë të saj e bëjnë institucionet e specializuara të sigurisë, që nxjerrin vendime kurse Policia e Kosovës i zbaton ato vendime. Edhe në rastin e Mitrovices si dhe të Skenderajt, veprimet e Policisë së Kosovës janë në përputhje të plotë me ligjin.
Në këtë kontekst, për KMDLNj–ë është krejtësisht i papranueshëm krahasimi i Policisë së Kosovës me Policinë e Serbisë, kontekstit të tashëm kohor me ate të viteve të 98–ta si dhe krahasimin e Albin Kurtit me politikanët e Serbisë.
Së pari, Policia e Kosovës , duke zbatuar ligjin është në mbrojtje të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa bërë dallime kurse Policia e Serbisë e ka patur dhe e ka një qëllim krejt tjetër, në kohën e luftës vranin dhe masakronin civilë të pafajshëm kurse tani angazhohen për destabilizim të situatës në Kosovë.
Dhe, krejt në fund në vitet e 98–ta, politikanët nga Serbia planifikonin dhe urdhëronin krime ndaj civilëve kurse tani i arsyetojnë ato krime sikur që bëjnë të çdo gjë ta shkatërrojnë shtetin e Kosovës. Është krejtësisht e pamoralshme që ta vëni Albin Kurtin në të njëjtin rrafsh me politikanët e Serbisë aq më parë që edhe vet ka qenë i keqtrajtuar nga ata politikanë dhe Policia e Serbisë.
Lëjeni anash gjuhën e urrejtjes dhe krijoni kushte për fushatë jodiskriminuese sikur edhe zgjedhje të rregullta. Lërini folklorin dhe lejoni që votuesi, me votën e vet ta dënojë apo ta përkarhë një kandidat të preferuar apo subjekt të caktuar politik. Çdo veprim tjetër është dhunë dhe presion e që duhet të refuzohet nga të gjithë.
2 shkurt 2021 Prishtinë Shërbimi për Informim