Me datë 22 korrik 2020, në Lagjen Dardania në Prishtinë, në lokacionin ku është paraparë të ndërtohet Xhamia e Madhe, një grup i qytetarëve, në ora 11.00 protestoi për të kundërshtuar fillimin e punëve. Në anën tjetër disa besimtarë, në përkrahje të ndërtimit të Xhamisë së Madhe kundërshtuan këtë protestë në ndërkohë që vërehej numri i shtuar i Policisë së Kosovës që përkujdeseshin të ruhej rendi dhe qetësia në çastet kur erdhi deri te tensionimi, për KMDLNj-në krejtësisht i panevojshëm i situatës.
Të drejtat dhe liritë fetare në Kosovë, si pjesë shumë e rëndësishme e korpusit të drejtave themelore të njeriut janë të rregulluara me ligjet e Kosovës për të gjitha komunitetet fetare dhe besimtarët e të gjitha besimeve e që janë në përputhje të plotë me dokumentet dhe konventat ndërkombëtare që i rregullojnë të drejtat e besimit dhe zbatimit të fesë. KMDLNj ua përkujton të gjithë qytetarëve të Kosovës , edhe atyre që protestojnë kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe se e drejta për protestë është e rregulluar me ligj dhe e drejtë demokratike deri në momentin kur nuk shkelë të drejtat e njeriut të tjerëve. KMDLNj ua përkujton gjithashtu faktin se edhe ndërtimi i objekteve fetare dhe mënyra e financimit të ndërtimit dhe funksionimit është e rregulluar me ligj mirëpo, së paku deri më tani nuk është përfillur nga asnjë bashkësi fetare dhe se ka munguar transparenca e kërkuar . Bashkësia Islame e Kosovës, as nuk e ka uzurpuar lokacioni e as nuk e ka filluar ndërtimin e Xhamisë së Madhe pa leje të institucioneve përkatëse andaj kundërshtimi i ndërtimit të Xhamisë.së Madhe është kryesisht i motivuar politikisht dhe paraqet presion mbi besimtarët si dhe shkelë të drejtat dhe liritë fetare, si pjesë e të drejtave të njeriut. Sa i përket lokacionit ku është paraparë të ndërtohet Xhamia e Madhe , KMDLNj mendon se është vendi më i keq i mundshëm por se ky lokacion është rezultat i marrëveshjes midis BIK-ut dhe Komunës së Prishtinës dhe si e tillë duhet të respektohet. Arsyetimi se Xhamia e Madhe në Prishtinë po ndërtohet me donacion nga Turqia është kryekëput politik aq më parë që thuaja të gjitha objektet fetare e të gjitha komuniteteve fetare në Kosovë , pas përfundimit të luftës , janë ndërtuar me donacione ndërkombëtare. Për KMDLNj-ë do të ishte e pranuar dhe e arsyeshme kërkesa e protestuesve por edhe qytetarëve të tjerë që të sigurohet transparencë e plotë për shumën e supozuar prej 30 milionë eurosh e që mendohet të jenë donacion i Bashkësisë Islame të Turqisë.
KMDLNj ftonë të gjithë qytetarët e Prishtinës, për rastin konkret por edhe të Kosovës ta ruajnë dhe kultivojnë tolerancën fetare dhe të mos e tensionojnë situatën duke respektuar të gjitha besimet dhe besimtarët pa bërë asnjë dallim. KMDLNj mbronë të drejtat dhe liritë fetare , pa bërë asnjë dallim dhe e dënon çdo shkelje të këtyre të drejtave. Po të ishte e përcaktuar me Lugj që qytetarët përmes referendumit të deklarohen për ndërtimin apo kundërshtimin e ndërtimit të cilitdo objekti fetar apo lokacionit, do ta kishim një situatë tjetër. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një ndërtim të ligjshëm, me leje prandaj protesta kundërshtuese edhe mund të merret si shkelje e të drejtave dhe lirive fetare e që për KMDLNj – është krejtësisht e papranueshme. Praktikimi i fesë nuk duhet të konsiderohet as si çështje politike e as patriotike por si nevojë shpirtërore dhe krejtësisht personale.