Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi të mos e dekretojë gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban, i votuar ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës pa përfunduar verifikimi për të.
Për KMNDLNJ është lëshim i atyre që është dashur ta bëjnë verifikimin e së kaluarës të çdo kandidati që ka konkurruar për pozitën e gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese.
“Pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan dy kandidatë të komunitetit joshumicë, ndërsa refuzuan të gjithë kandidatët shqiptarë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e që për KMDLNj –në paraqet non sens të llojit të vet , u ngrenë dyshime për të kaluarën e z.Llaban i cili, sipas disa mediave të Serbisë, ka të kaluar kriminale dhe qenka dënuar për krim të organizuar”, thuhet në reagim.
Sipas KMDLNJ-së, nuk ka dyshim se deputetët e komunitetit serb e kanë ditur për të kaluarën e dyshuar kriminale të gjykatësit Llaban, mirëpo KMDLNJ shtron pyetjen nëse këtë e kanë ditur edhe shqiptarët dhe përsëri e kanë votuar?!
“Rasti Llaban, nëse del të jetë i vërtet tregon qartazi për mungesën e koordinimit midis segmenteve të caktuara të sistemit të sigurisë e që janë përgjegjëse për verifikimin e së kaluarës për pozita ku kërkohet sqarimi për të kaluarën. Nëse rasti Llaban është përtej dyshimeve të shprehura në media dhe dëshmohet e kaluara e tij e cila është në shpërputhje me postin e synuar dhe për fat të keq të votuar nga deputet të papërgjegjshëm, Llaban jo që nuk duhet të dekretohet si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por ndaj tij duhet të fillojnë hetimet për paraqitje të pavërtetë të fakteve, fshehje të së vërtetës dhe falsifikim të dokumenteve”, thuhet në njoftim.