Qytetarët janë ankuar lidhur me faturat e larta të energjisë elektrike, që iu kanë ardhur këtë muaj. Madje reagime ka pasur edhe nga përfaqësues të partive e organizatave në vend. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), vlerën e faturave e quan jonormale. Valentina Demolli, nga ky Këshill i tha Ekonomia Online se kanë pranuar shumë ankesa të qytetarëve lidhur me këtë çështje.
Tutje, Demolli ka thënë se për KMDLNj-në është e papranueshme dhe e palogjikshme edhe fakti se nuk ka pasur ndonjë paralajmërim që do ketë ndryshime të tilla.
“Që nga dita e premte, ne si organizatë kemi pranuar shumë ankesa nga qytetarët të republikës së Kosovës të cilët janë ankuar për fryrje enorme të faturave të energjisë elektrike. Realisht nga deklaratat që kemi marrë nga qytetarët për faturat dhe dallimi mes tyre të këtij muaji me muajin e kaluar janë mbi ose rreth 100%”.
“Për neve si organizatë promovuese të të drejtave të njeriut në Kosovë ka qenë e pa pranueshme dhe e palogjikshme me vet faktin që ne nuk kemi marrë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës ose të paktën institucionet përkatëse nuk kanë dhënë ndonjë lajm që ka rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe kjo fryrje apo shtrenjtim i faturave të energjisë elektrike në nivelin enorm krahasuar me vitin e kaluar, për neve është përveçse e papranueshme ne të njëjtën kohë ka hapësirë për mundësinë e shkeljes ligjore”.
Ajo tha se i kanë bërë thirrje institucioneve e Prokurorisë së shtetit që të nisin urgjentisht hetimet dhe ta bëjnë shqyrtimin e kësaj çështje.
“Ne përveç se i kemi kundërshtuar ne iu kemi bërë thirrje dhe institucioneve përgjegjëse, përfshirë dhe Prokurorinë e shtetit që realisht me urgjencë të nisin hetimet dhe të shqyrtoj më në saktësi se si ka ardhur deri te kjo fryrje enorme elektrike, shtuar këtu faktin që nuk ka pasur rritje të çmimeve të energjisë elektrike , e kësaj i ndihmon fakti që edhe koha, domethënë se nuk ka qenë edhe aq ftoftë që do te mund qytetarët të shfrytëzonin më tepër energji e që do të mund të qonte tek rritja e konsumit të energjisë elektrike”.
Demolli shtoi se deri më tani qytetarët edhe ashtu kanë qenë të diskriminuar, ngase qytetarët e veriut për 24 vjete nuk kanë paguar as edhe një cent për energji e shpenzuar, raporton EO.
“Thirrje u kemi bërë institucioneve, përkatësisht qeverisë, për shkak se të gjitha qeveritë e Kosovës në 23 vitet e fundit jemi dëshmitar që kane bërë diskriminimin në baza etnike duke përfshirë këtu që për të gjithë qytetarët e veriut të Kosovës për energjinë e shpenzuar dhe te keqpërdorur asnjëherë s kanë reaguar as edhe një cent, e jo vetëm për të, por dhe për të gjitha shpenzimet tjera të marra nga institucionet e Republikës së Kosovës. Kurse për pjesën tjetër të qyteteve të Kosovës, jo vetëm që detyrohen të paguajnë energjinë të cilën e shpenzojnë, ngarkohen edhe për pjesën e të cilën nuk e shfrytëzojnë qytetarët por në kuptimin se vidhen ose plaçkiten që ndoshta me këtë plaçkitje mbulohen shpenzimet enorme dhe keqpërdorimet që po bëhen në veriun e Kosovës”.
“Ne i u kemi bërë thirrje ZRrE-së, institucioneve shtetërore, Prokurorisë së shtetit qe të nisin hetimet se si erdhi deri te kjo fryrje e energjisë, përkatësisht faturave që kane pranuar qytetarët e republikës së Kosovës. në këtë muaj”.