Monitorues të KMDLNj – së vizituan avokatin e ndaluar i cili po mbahet në ndalim policor 48 orësh në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë. I njejti i pohoi KMDLNj – së se ai është arrestuar me datë 27.02.2019 në zyrën e tij në Drenas, në ora 14:00. Ai pohoi se atë e kanë arrestuar 4 zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës, për të cilën gjë ai pohoi se nuk është në kompetencë të IPK-së dhe se arrestimin e tij e kanë bërë të njetët persona për të cilët një ditë më parë kishte bërë kallëzim penal. Nga zyra e tij në Drenas është shoqëruar në zyrat e IPK-së në Prishtinë ku është intervistuar në prani të avokatit të tij të cilin e ka angzhuar personalisht.
Avokati tha se gjatë arrestimit nuk i është prezantuar urdhëri për arrest. I njejti i pohoi KMDLNj-së se një zyrtar i IPK-së e ka kërcënuar gjatë intervistimit se ai do të dënohet me burg. Gjatë qëndrimit në ndalim pohoi se për rreth 22 orë nuk kishte marrë as ushqim dhe as ujë.
Gjatë qëndrimit të tij në Qendrën e Ndalimit është njoftuar me të gjitha të drejtat që i takojnë dhe u shpreh se nuk ka asnjë vërejtje në sjelljen e stafit të uniformuar, as policëve të cilët e kanë transportuar dhe as ata të Qendrës së Ndalimit. Ai pohoi se i janë marrë për hetim 4 telefonë celularë për të cilët ka nënshkruar formularin.
KMDLNj ka biseduar edhe me zv.drejtoreshën e Qendrës së Ndilimit në lidhje me shqetësimet e ngritura nga i ndaluari dhe i pohuan se i njejti në ditën që është vendosur në Qendrën e Ndalimit ka qenë ora 18:30h dhe shpërndarja e darkës bëhet në ora 18:00 dhe Q. e Ndalimit nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqim për të privuarit që vijnë pas kësaj ore.
Kurse të nesërmen, më datë 28.02.2019 stafi i pohuan KMDLNj-së se z. Halilaj ka marrë mëngjesin dhe drekën. Avokatin me datë 27.02.2019 e kanë vizituar edhe stafi i emergjencës shëndetësore dhe është trajtuar me barërat e pëcaktuara nga mjeku.
KMDLNj e vlerëson angazhimin e stafit në Qendër të Ndalimt përkundër kushteve jo të mira të punës e që këto kushte nuk janë të mira as për personat e ndaluar. Për kushtet jo të mira në Qendrën e Ndalimit për të punësuarit dhe ata që mbahen, KMDLNj ka kërkuar nga ministri për MPB sikur edhe nga drejtori i përgjithshëm i PK të ndërmarrin të gjitha masat që ato të përmirësohen kurse, si zgjidhje më të mirë e sheh zhvendosjen në një objekt tjetër.