Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë, në kuadër të mandatit për monitorimin e të drejtave të personave të privuar nga liria, pas shumë telefonatave të paraburgosurve dhe të dënuarve me datë 21.04.2020 ka vizituar Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.
Monitoruesit e KMDLNj –së fillimisht u takuan me drejtorin e qendrës , z. Isuf Ibërdemaj dhe shefin e sigurisë me të cilët biseduan për gjendjen e përgjithshme në Qendër të Paraburgimit.
Pas takimit, monitoruesit takuan personat e privuar nga liria me të cilët biseduan për gjendjen aktuale ne te cilën ndodhen dhe kërkesat që i parashtruan për grevë urie. Nga të burgosurit u njoftuam se ata kanë vendosur që të pezullojnë grevën e urisë me kërkesë institucioneve, deri më 4 maj 2020 në pritje se autoritetet vendimarrëse do t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre për lirim të menjëhershëm apo pezullim të dënimit për aq kohë sa zgjatë pandemia.
Nëse pas kësaj date institucionet nuk marrin asnjë veprim konkret për plotësimin e kërkesave të tyre e që i plotësojnë kushtet ata janë duke planifikuar që të shkojnë përtej, duke organizuar protesta nga familjet e
tyre dhe në grevë urie do të përfshihen të gjithë të privuarit nga liria.
Të privuarit pohuan se pas ndalimit të vizitave familjare ata po përballen me mungesë të furnizimit me veshmbathje prandaj kërkojnë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës apo Kryqi i Kuq i Kosovës ose ndonjë organizatë bëmirëse të sigurojnë veshmbathje për ta,.
Në këtë kontekst KMDLNj u bënë thirrje të gjitha organizatave bëmirëse dhe të tjera që kanë mundësi të ndihmojnë ta bëjnë këtë, duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në këtë situatë pandemie.
Edhe një herë u ritheksua ankesa e të privuarve, të cilët kanë kaluar 2/3 e dënimit, janë shfrytëzues të vikendeve dhe beneficioneve tjera dhe nuk kanë marrë përgjigje pozitive apo nuk kanë marrë fare përgjigje nga Paneli për Lirim me Kusht.
Në mesin e të privuarve nga liria kishte një numër të konsiderueshëm me disa muaj burg të mbetur dhe, sipas KMDLNj –së ata mund të lirohen pa e rrezikuar aspak sigurinë .
Një problem tjetër që e theksuan të privuarit nga liria e që kanë nevojë për intervenim shëndetësor jashtë Qendrës së Paraburgimit është se nëse ata do të dërgohen për trajtim në QKUK-ë apo Spital Rajonal, me t’u kthyer në Qendër të Paraburgimit do të karantinizohen për 14 ditë andaj ekziston hezitim i dyanshëm.
Gjithashtu, të privuarit paraqitën kërkesën dhe shpresën për falje nga Presidenti në mungesë te Ligjit për Amnisti.
Fatmirësisht të gjithë të privuarit në këtë qendër janë në gjendje të mirë dhe nuk ka asnjë rast të infektuar me virus COVID -19.
Të privuarit nga liria shprehën respekt dhe konsideratë për stafin korrektues dhe drejtorin Ibërdemaj për shkak të sjelljeve dhe trajtimit korrekt.
Drejtuesit e Qendrës së Paraburgimit por edhe të privuarit nga liria u njoftuan për mundësinë e përfitimit të asistencës humanitare me mjete të siguruara nga Rrjeti i Fonadacioneve të Shoqërisë së Hapur nga Zyra Qendrore në Nju Jork dhe dega për Kosovë – Fondacioni Kosovar për
Shoqëri të Hapur ( KFOS ) .
Asistenca humanitare zgjatë tre ( muaj ) dhe kapë shumën nga 170 euro për muaj.