Këshilli për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj), ka dënuar sulmin fizik ndaj bashkëshortes së ministrit në detyrë të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
“KMLDNJ duke e dënuar këtë sulm të dhunshëm ndaj znj. Vitorie Stavileci, sikur edhe në rastet e mëparshme ka kërkuar dhe kërkon hetime të shpejta, efikase, të pavarura, që nënkupton të mos paragjykohen kryesit e kësaj vepre të dhunshme dhe të mos përdoret për qëllime politike nga asnjë subjekt politik. Paragjykimi dhe motivi i supozuar për kryesit e mundshëm të këtij sulmi të dhunshëm por edhe të sulmeve të mëhershme e që nuk janë ndriçuar paraqet ndërhyrje flagrante në punën e organeve hetuese e që është e palejueshme në një shoqëri kur kompetencat janë të ndara dhe ku nuk lejohet ndërhyrja politike apo tjetër”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.
KMDLNj e gjykon si të papranueshme dhe ndërhyrje në hetime për rastin e sulmit ndaj Vitore Stavileci të drejtuesve të PDK-së në konferencën për shtyp ku sipas tyre, në mënyrë eksplicite dhe të pakundërshtyeshme u tha se sulmin e kryen “kriminelët e LV” pa u zhvilluar, pa u përfunduar hetimet dhe pa një vendim të gjykatës kompetente.
Këtë pohim të disa drejtuesve të PDK-së, KMDLNj e konsideron si paragjykim që nuk është mbështetur në asnjë provë dhe ndërhyrje në punët e hetuesisë.
“KMDLNj kërkon dhe pret nga PDK të distancohet nga këto akuza të disa drejtuesve të saj kundër një subjekti politik, të mos pengojë hetimet, të presë përfundimin e hetimeve dhe vendimin e gjykatës kompetente sepse në këtë mënyrë do t’ua mbyllë rrugët e paragjykimeve dhe do të ndihojë drejtësinë, përmes respektimi të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Fjalori akuzues , në të shumëtën e rasteve paragjykues , po përdoret për qëllime politike dhe kjo gjuhë e urrejtjes po e tensionon situatën duke prodhuar dhunë ndaj personave kryesisht të pafajshëm dhe të pambrojtur siç ishte rasti i sulmit ndaj znj. Vitorie Stavileci”, theksohet në reagim.