Koalicionet parazgjedhore, të pakoordinuara

Prishtinë | 08 Qer 2017 | 08:37 | Nga

Partitë politike të cilat kanë lidhur koalicone parazgjedhore mes vete po vazhdojnë të mbajnë takime e të japin premtime në mënyrë të pakoordinuar.

Përderisa kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, gjatë fushatës premtoi liberalizimin brenda tre muajve, partneri më i madh i koalicionit (PDK) ka qëndruar i heshtur në këtë drejtim, duke mos u rreshtuar krah këtij zotimi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

E përderisa lideri i këtij subjekti, Kadri Veseli, vazhdoi të japë premtime të tjera për rritje të pagave e pensioneve, ai i Nismës, Fatmir Limaj (partnerit tjetër), u zotua për investime qindra-mijëshe në sektorin e bujqësisë.

Nga ana tjetër edhe liderët e partive të koalicionit LDK-AKR-Alternativa kanë dhënë premtime individualisht, me ç’rast lideri i LDK-së ka premtuar rritjen e buxhetit në 5 miliardë euro, e ai i AKR-së rritje ekonomike prej 8%.

Analistët politikë konsiderojnë se koalicionet parazgjedhore janë paraqitur tërësisht të pakoordinuara, megjithatë sipas tyre koaliconi PAN mban primatin në këtë drejtim.

Kurse, vlerësojnë se pjesa dërrmuese e partive kanë dhënë premtime, duke mos bërë të qartë se si do t’i realizojnë ato.

Të ngjashme