Kandidatët për deputetë nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Besnik Tahiri dhe Shqipe Pantina, sot në një konferencë për media kanë prezantuar planin e tyre qeverisës si dhe përbërjen e Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Aty kandidati për deputetë nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, tha se sipas planit të koalicionit AAK-PSD qeveria e ardhshme do të ketë 20 ministri dhe 2 zëvendëskryeministra si dhe 30 zëvendësministra.
“Qeveria Mustafa ka pasë 20 ministri me 57 ministra. Ne kemi pasë një ministri më shumë me më shumë ministra e zëvendësministra. Madhësia e qeverisë nuk është produkt i yni, por ka qenë kulturë e të gjitha partive politike. Kam propozuar versionin me 15 ministri. Asnjë zëvendës kryeministër nuk do ketë pozitë pa qenë ministër. Ideja është të jenë vetëm 2 zëvendëskryeministra nuk do ketë më shumë se 30 zëvendësministra”.
Tahiri u shpreh se madhësia e qeverisë nuk ka qenë produkt i qeverisë që e lamë pas, por gjitha qeverive.
“Ne e kemi strukturuar në esencë idenë e qeverisjes jo vetëm nga aspekti i madhësisë, por edhe nga aspekti i efikasitetit në punë. Në Ligjin për Qeverinë ndalohen themelimet e institucioneve që i kanë detyrat e njëjta me ministritë”.
Ndërsa Kandidatja nga radhët e PSD-së për deputete, Shqipe Pantina, tha se plani i qeverisë Haradinaj do ta rrisë cilësinë në arsim e shëndetësi.
“Synimi i Qeverisë Haradinaj për përmirësimin dhe krijimin e një qeverisje të mirë. Në mandatin e kaluar ne kemi filluar reformën në Administratë Publike, 3 ligje tashmë kanë miratuar. Në qeverinë e ardhshme hartimi i udhëzimeve administrative do të garantojë zbatimin e këtyre ligjeve. Synimi ynë është që të fillojmë digjitalizimin për procesin e rekrutimit. Ne mendojmë që e gjithë kjo do rrisë cilësinë në arsim e shëndetësi që është cilësuar si një nga fushat ku më së shumti ka pasur punësime partiake”, tha Pantina.