Njohësi i proceseve politike në vend, Behxhet Shala, ka thënë se gara zgjedhore e 11 qershorit do të jetë interesante.
Ai ka mirëpritur largimin nga listat zgjedhore të individëve që kanë probleme me ligjin dhe nuk pret se kjo do të ketë ndikim në votën e elektoratit.
Shala ka vlerësuar se koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe kandidati i tij për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka një përparësi për t’i fituar zgjedhjet.
“Ramushi ka gjasa më tepër që të bëhet kryeministër”, është shprehur ai në një intervistë për “Epoka e Re”.
Por, sipas tij, ky koalicion do ta ketë problem formimin e Qeverisë së re.
Shala thotë se pas zgjedhjeve të 11 qershorit do të ketë zhvillime interesante, pasi sërish ndërkombëtarët do të ndërhyjnë për ndërtimin e një koalicioni, i cili për detyrë kryesore do ta ketë shtyrjen përpara të marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Shala ka folur edhe për përmbajtjen e listave zgjedhore.
“Listat kanë qenë të pritshme por, në krahasim me vitet e kaluara, ka një përparësi, sepse listat janë pastruar nga ata që kanë probleme me ligjin. Në këtë drejtim, PDK-ja ka bërë sakrificën më të madhe duke larguar ata që duhet të sqarohen me ligjin. PDK-ja ka larguar disa persona që i kanë sjellë shumë vota, por të cilët mund të rehatohen në një kombinim tjetër. Kurse LDK-ja i ka lënë jashtë listës ata që e kanë kundërshtuar Isa Mustafën. Ndërsa Vjosa Osmani e Arben Gashi janë ranguar larg prej pozicioneve të mëparshme. LDK-ja i ka zhvendosur ata që e kanë kundërshtuar Mustafën dhe vendimet e partisë, e kjo ka qenë e pritur. Për mua ka qenë befasi si ka pranuar Vjosa të jetë sërish pjesë e listës pas gjithë atij opozitarizmi brenda LDK-së. Edhe Shpejtim Bulliqi e ka ditur që nga fillimi se nuk mund të jetë pjesë e listës për shkak të qëndrimit të tij ndaj demarkacionit”.