Për të katërtën herë koalicioni qeverisës ka dështuar ta miratojë Demarkacionin me Malin e Zi, ndonëse debati ka zgjatur deri në orët e vona të së martës. Lista Serbe ka bojkotuar seancën, ndërsa deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, është shtrirë në spital, duke ia prishur matematikat për votimin e Marrëveshjes. Seanca vazhdon sot, shkruan “Zëri|.
Koalicioni qeverisës ka dështuar për të katërtën herë me radhë për ta ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Pas rreth tetë orësh debat pa u hedhur në votim Marrëveshja ka përfunduar seanca, e cila pritet të vazhdojë sot në orën 11:00.
Para fillimit të seancës kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se i kanë 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Kufirit.
Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur u deklaruan kundër Marrëveshjes së Vjenës.
Kurse munguan deputetët e Listës Serbe, si dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi. Me këtë rast koalicioni qeverisës së bashku me LDK-në dhe me deputetët pa grupe parlamentare kishte 78 deputetë në sallë.
Delawie: Kosova nuk ka kohë për të humbur
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, para fillimit të seancës së Demarkacionit u bëri thirrje edhe një herë deputetëve që të votohet Marrëveshja, pasi kjo është për të mirën e qytetarëve.