Koalicioni që udhëhiqet nga Arabia Saudite ka kryer një seri sulmesh me raketa, në zonat e kontrolluara nga rebelët në kryeqytetin e Jemenit, Sana.
Koalicioni ka sulmuar një bazë ushtarake dhe disa ndërtesa të tjera të rëndësishme.
Këto sulme ajrore, që u kryen të shtunën, janë të parat që prej se u arrit marrëveshje ndërmjet qeverisë në Jemen dhe rebelëve Huthi, të cilët janë në luftë që prej vitit 2014.
Nuk janë dhënë më shumë informata sa i përket numrit të viktimave apo dëmeve materiale nga sulmet ajrore të së shtunës, të cilat zgjatën deri në orët e para të së dielës, raporton AP, transmeton rel.
Marrëveshja ndërmjet qeverisë dhe rebelëve, ofronte një armëpushim dhe tërheqjen e forcave rivale nga qyteti port Hodeida si dhe shkëmbimin e të burgosurve, por zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka hasur në vështirësi.
Më herët gjatë këtij muaji, rebelët kryen një sulm me bomba, duke përdorur dronët, që kishte për cak një paradë ushtarake në qytetin Aden. Nga ky sulm u vranë të paktën shtatë persona, përfshirë edhe komandantin e inteligjencës ushtarake.
Që prej se ka nisur lufta civile në Jemen më 2014, dhjetëra mijëra persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë duke u përballur me kushte të rënda të jetesës. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se 80 për qind e popullsisë së Jemenit – mbi 24 milionë njerëz – kanë nevojë për ndihmë.