Koalicioni kundër Shtetit Islamik “vrau mbi 1,300 civilë”

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit militant Shteti Islamik tha se pa dashje ka vrarë mbi 1,300 civilë në Irak dhe në Siri, qysh në vitin 2014.

Koalicioni tha përmes një deklarate se ka kryer 34,502 sulme ajrore prejse ka nisur fushatën kundër Shtetit Islamik gati pesë vjet më parë.

Veprimi ushtarak ka nisur pasi grupi xhihadist ka marrë nën kontroll territore të mëdha në Siri dhe Irak, duke i sunduar brutalisht miliona njerëz.

Shifrat e fundit të publikuara nga koalicioni janë pak më të larta se vlerësimet që janë bërë tetë muaj më parë për 1,100 civilë të vrarë.

Koalicioni tha se po i analizon dhe 111 raste të mundshme me viktima civile.

Shifrat, megjithatë, dallojnë shumë nga ato të grupeve për të drejtat e njeriut.

Muajin e kaluar, aktivistë të organizatës Amnesty International dhe monitorues të grupit Airwars kanë dalë me një raport, sipas të cilit, sulmet e koalicionit kanë vrarë mbi 1,600 civilë vetëm në qytetin Raka, gjatë një fushate pesëmuajshe për rrëzimin e Shtetit Islamik, në vitin 2017.

Raka ka qenë kryeqyteti de facto i “kalifatit” të vetëshpallur të xhihadistëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme