Shkon në 22 numri i të vrarëve nga sulmet ajrore të ShBA-së në Siri, zero civilë

Prishtinë | 26 Shk 2021 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Ka shkuar në 22 numri i të vrarëve në Siri, pasi sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara në Siri i goditën tre kamionë të ngarkuar me municion. Nga sulmet u shkatërruan edhe pikat e vendosura në kufi nga grupet e përkrahura nga Irani.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se të gjithë të vrarët nga sulmet ajrore ishin pjesëtarë të grupit “Hashd al-Shaabi”, që përkrahet financiarisht nga shteti irakian dhe që ka lidhje me Iranin.

Një faqe qeveritare iraniane raportoi se ministrat e Punëve të Jashtme të Iranit dhe Sirisë të premten zhvilluan bisedë telefonike dhe, siç thuhet, e theksuan nevojën që Perëndimi t’i respektojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth Sirisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara, aleatëve irakianë dhe kurdë në njërën anë, dhe grupeve militante të lidhura me Iranin në anën tjetër, u rritën shumë gjatë pushtetit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e zbatoi të ashtuquajturën “trysni maksimale” ndaj Republikës Islamike.

Sulmet ajrore në Siri janë veprimi i parë ushtarak që u bë me urdhër të presidentit të ri, Joe Biden, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ndaj personelit amerikan dhe të koalicionit ushtarak në Irak.

“Presidenti Biden do të veprojë për t’i mbrojtur personelin amerikan dhe personelin e koalicionit. Njëkohësisht, ne kemi vepruar me një sjellje të qëllimshme që ka për synim ta qetësojë gjendjen e përgjithshme në Sirinë lindore dhe në Irak”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme