Pavarësisht propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje që dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, të garojnë së bashku në zgjedhjet e reja, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se një gjë e tillë është tejet vështirë të ndodhë. Me këtë rast ata kanë ripërsëritur se postin e kryeministrit nuk e lëshojnë assesi, edhe në rast se rrethanat e imponojnë ndonjë koalicion parazgjedhor, siç mund të jetë ai me LVV-në, shkruan gazeta “Zëri”.
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur gatishmërinë të bëjë koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pavarësisht se ende nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet e reja. Kryetari i LVV-së Albin Kurti është shprehur i bindur se një koalicion i opozitës së vërtetë do ta mundësonte fitoren dhe sigurimin e 70 ulëseve në Kuvendin e Kosovës.
Por zyrtarët e LDK-së nuk janë shprehur entuziastë në këtë drejtim. Ata kanë thënë se arritja e një koalicioni parazgjedhor është mjaft i vështirë për të ndodhur, pasi LDK-ja preferon të garojë e vetme në zgjedhjet e reja. Mundësia e ndonjë koalicioni me LVV-në, siç ata janë shprehur, do të shqyrtohej vetëm në rast se partitë e tjera bashkohen në një krah tjetër para zgjedhjeve.
Megjithëkëtë edhe nga LDK-ja, edhe nga LVV-ja kanë pohuar se nuk e lëshojnë postin e kryeministrit, edhe në rast se këto dy parti tentojnë të garojnë në një listë zgjedhore.