Të martën e javës së ardhshme Kuvendi do të zhvillojë përpjekjen e katërt për të miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Derisa përfaqësues të partive shqiptare të koalicionit qeverisës, si dhe të LDK-së janë shprehur të bindur që kësaj çështjeje pas tre vjetëve do t’i jepet epilogu i duhur me miratim, LVV-ja, Grupi i deputetëve të pavarur të dalë nga LVV-ja opozitare, si dhe Lista Serbe qeverisëse nuk kanë ndryshuar qëndrimet e tyre kundër kësaj marrëveshjeje, shkruan Koha Ditore.
Deri të enjten merret vesh se për këtë marrëveshje janë të gatshëm të votojnë 79 deputetë dhe koalicionit pro-demarkacionit i duhet vetëm edhe një votë për të kaluar këtë marrëveshje.
Marrëveshja ishte vendosur në rend dite për diskutim në tri seanca, por në mungesë të votave votimi për të nuk është zhvilluar asnjëherë.
Pas dështimit tri herë radhazi të votimit të demarkacionit, për analistin Imer Mushkojal, caktimi i seancës e ka humbur kuptimin. “Tashmë edhe mbajtja e seancës e ka humbur kuptimin, pasi që është paralajmëruar e zvarritur disa herë”, tha Mushkolaj.
Sipas tij, qytetarët nuk duhet të maltretohen me lojëra të tilla dhe se kjo çështje duhet të marrë fund. “Mbase më në fund partnerët e koalicionit janë marrë vesh që demarkacioni të kalojë. Qytetarët nuk duhet maltretuar më gjatë me lojëra të tilla dhe kjo çështje duhet të marrë fund. Ose, nëse nuk mund ta zgjidhin, le të largohen nga postet që mbajnë. Improvizimet në krijimin e koalicionit qeverisës e kanë sjellë këtë situatë dhe pasojat e papërgjegjësisë së politikës po vazhdojnë t’i vuajnë qytetarët”, ka theksuar Mushkolaj.