Koci i kërkon “Blicit” t’a tërheq shkrimin fyes ndaj Haradinajt

Prishtinë | 30 Nën 2016 | 12:24 | Nga

Pas publikimit të një shkrimi në Gazetën Blic të Beogradit se Ramush Haradinaj është i përfshirë në kontrbandë me armë, avokati Ariant Koci ka paralajmëruar padi ndaj gazetës beogradase ndërkohë që ka kërkuar që Blic ta heq shkrimin.

Koci në një komunikatë për media ka thënë se “Me publikimin e informatave të pavërteta, redaksia e gazetës “Blic” qëllimisht e ka denigruar dinjitetin njerëzor të  Haradinaj, duke shkelur në mënyrë flagrante etikën e gazetarisë dhe vlerat e mbrojtura në çdo shoqëri demokratike”

Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin.

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Klienti im, Ramush Haradinaj, në dy ditët e fundit është bërë subjekt i gazetës “Blic” dhe mediave tjera serbe, të cilat e cilësojnë atë si kontrabandues të armëve nga Serbia dhe drejtues të një prej klaneve më të fuqishme të krimit në Kosovë.

Përmbajtja e artikujve të publikuara përbëjnë shpifje dhe fyerje ndaj personalitetit të z. Haradinaj duke e cenuar rëndë nderin e tij personal dhe familjarë.

Me publikimin e informatave të pavërteta, redaksia e gazetës “Blic” qëllimisht e ka denigruar dinjitetin njerëzor të Haradinaj, duke shkelur në mënyrë flagrante etikën e gazetarisë dhe vlerat e mbrojtura në çdo shoqëri demokratike.

Jam në proces të përgatitjes së padisë për shpifje, fyerje dhe kompensimin e dëmit jo material kundër gazetës “Blic”. Në mes tjerash, do të kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të publikimit të informatave të rreme nga gazeta në fjalë, tërheqjen e artikujve të publikuar dhe kërkim falje publike nga redaksia e gazetës “Blic” nga Serbia.

 

Të ngjashme