Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës – pas deponimit të ankesës nga ana e Monego – me datë 03.02.2020 ka marrë vendim në favor të aksionarit të vetëm të Monego, duke gjetur gabime esenciale në vendimin e dhënë nga Gjykata Themelore. Gjykata e Apelit i ka rekomanduar Gjykatës Themelore që të marrë parasysh rekomandimet e saj gjatë vendosjes mbi masën e sigurisë për Monegon, në mënyrë që të ndalet ekzekutimi i vendimit të Bankës Qëndrore për revokimin e licencës. Masa e miratuar e sigurisë ka për qëllim mbrojtjen e punëtorëve dhe aseteve të Monego, deri në dhënien e verdiktit përfundimtar të rastit.
Përkundër këtyre rekomandimeve, Gjykata Themelore e Republikës së Kosovës ka shpërfillur të gjitha rekomandimet e një gjykatë të instancës më të lartë, gjegjësisht Gjykatës së Apelit, duke krijuar një precedent të paparë ku një gjykatës me e ulët në hierarkinë e gjyqësorit, e injoron qartë vendimin e një shkalle më të lartë. Kështu, qe aksionari Monego a pritje qe Gjykata e Apelit do të vendos vetë lidhur me masën e sigurisë, në mënyrë që të mbrojë kompaninë dhe interesat e aksionarit – deri në përfundimin e rastit në tërësi.
Sipas legjislacionit në fuqi, në mënyrë që të vendoset masa e sigurisë, duket të përmbushen tre (3) kushte: të ketë fakte se propozuesi i masës do të pësojë dëme të pariparueshme nëse masa e sigurisë nuk vendoset; masa e sigurisë nuk duhet të jetë në kundërshtim me interesin publik dhe; e njëjta të mos dëmtojë palën kundërshtar, gjegjësisht Bankën Qendrore të Kosovës.
Përfaqësuesit e autorizuar të aksionarit të Monego nga zyra e Shoqërisë së Avokatëve “Koci & Vokshi” kanë dëshmuar se tre (3) parakushtet e mësipërme janë plotësuar qartë në këtë rast, duke filluar nga dëmi i pariparueshëm i shkaktuar me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, vendim ky që rrezikon 12 milion euro investime, dhe është duke u përshkallëzuar vazhdimisht me anë të mbylljes së degëve nga likuidatori. Po ashtu, kushti se masa e sigurisë nuk duhet të jetë në kundërshtim me interesin publik është plotësuar, meqë Monego duke qenë një institucion financiar jobankar nuk merr depozita dhe nuk rrezikon fondet publike, siç bëjnë bankat tradicionale – që do të thotë se nuk ka rrezik ekonomik aktual apo potencial për qytetarët e Kosovës. Në fund, çështja e dëmtimit të palës tjetër në këtë rast nuk është në pyetje, pasi që asgjë nuk tregon se Banka Qendrore e Kosovës do të dëmtohej në rast se vendoset masa e sigurisë.
Masa e sigurisë, si e tillë njihet nga legjislacioni ne fuqi dhe praktika gjyqësore në Republikën e Kosovës, përfshirë Kushtetutën e Kosovës, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në qoftë se masa e sigurisë nuk vendoset, Monego do të likuidohet, dhe të gjithë punonjësit e kompanisë do të humbasin punën e tyre – dhe edhe nëse në rastin më të mirë – Monego fiton rastin kundër Bankës Qendrore të Kosovës në vitet në vazhdim, aksionari i Monego nuk do të ketë kompani në të cilën do të kthehet për të operuar, andaj kjo është arsyeja kryesore se pse masa e sigurisë duhet të vendoset sa me parë nga Gjykata e Apelit.
“Ne besojmë se ky është një rast i qartë ku gjykata duhet t’a aprovojë propozimin për masën e sigurisë, pasi që pas një masë të tillë jo vetëm që do të kompania do të rrezikojë ekzistencën dhe do të pësojë dëme të mëdha dhe të pariparueshme, por edhe Kosova do të pësojë një dëmtim të madh reputacioni dhe do të dërgojë një sinjal shqetësues për investitorët e huaj”, tha Arianit Koci, përfaqësues i autorizuar i aksionarit të Monego.