Arianit Koci, avokati i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili që nga 4 janari po mbahet në Francë në bazë të një fletarresti serb ka shprehur bindjen se ekstradimi i Haradinajt për në Serbi do të refuzohet.
Koci në një prononcim për Telegrafin tha se Serbia po e shantazhon Francën për ekstradimin e Haradinajt.
Ai sqaroi se nëse Gjykata e Colmarit vendos për ekstradim, atëherë mbrojtja mund të bëjë ankesë dhe në fund është ministri i Drejtësisë që vendos lidhur me ekstradimin.
“Nëse refuzohet kërkesa për ekstradim, e jam i sigurt që do të refuzohet, kjo çështje përfundon. Por, në rast që gjykata në Colmar vendos që ta ekstradoj z. Haradinaj, atëherë është ministri i Drejtësisë, ai vendos për ekstradim”, tha Koci.
Por sipas avokatit Koci, ekstradimi i Haradinajt për në Serbi nuk mund të ndodhë.
“Kërkesa e Serbisë është politike dhe riciklim i akuzave që janë trajtuar në Tribunalin e Hagës. Thjesht, Serbia po e keqpërdor të drejtën ndërkombëtare. E ndaj z. Haradinaj e kanë një inat të posaçëm. Nuk ja falin luftën për pavarësi dhe betejat e fituara kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ramushi është hero i gjallë, krenaria e jonë, prandaj sulmi ndaj tij është sulm ndaj Kosovës”, tha ai.