“Thirrjet e disa anëtarëve të partive opozitare për të bojkotuar parlamentin dhe për deputetët që të heqin dorë nga mandati i tyre aktual janë kundërproduktive dhe shkojnë kundër përpjekjeve të vendit për të zbatuar reformat e kërkuara nga BE-ja”.
Kështu ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini, në një përgjigje për ATSH.
Në përgjigjen e saj, Kocijançiq ka thënë se e drejta e qytetarëve për të marrë pjesë në demonstrate është një tipar thelbësor dhe një vlerë thelbësore e çdo demokracie të pjekur dhe duhet të garantohet.
“Sidoqoftë, përdorimi i dhunës dhe dëmtimi i pronës publike, ashtu siç u pa të shtunën e kaluar në qendër të Tiranës, nuk janë të pranueshme. Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane – është një vend ku debatet për reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të çohen përpara, e jo të bojkotohen”, ka thënë Kocijançiq.
Ajo ka thënë se BE-ja pret nga qeveria dhe opozita që të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim të kapërcejnë situatën aktuale politike.