Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq tha sot se nuk është një dështim nëse nuk ka marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës në 2019, siç tregohet në projekt-strategjinë për Ballkanin Perëndimor.
“Për mua, arritja e një marrëveshjeje nuk është kurrë një dështim”,tha ajo.
E pyetur nëse një ndryshim i kufijve është një opsion për një zgjidhje të përhershme, ajo vuri në dukje se BE ka theksuar shumë qartë parimet e negociatave.
“BE po punon për një marrëveshje të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e cila do të ishte realiste dhe e pranueshme për të dyja palët. Qëllimi është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura “, shtoi Kocijançiq, transmeton Klan Kosova.
Ajo gjithashtu theksoi se BE-ja ka rritur angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe se dialogu ka hyrë në një fazë të dytë, më dinamike, por që nuk duhet të ketë diskutime për afatet e mundshme.
Duke iu referuar fjalimit të dhënë nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Kosovë, Kocijančiç nënvizoi se “nuk duhet lënë asnjë hapësirë për dykuptimësi apo lëvdata ndaj politikës dhe veprimeve të (ish-Presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë) Milosheviq”, duke shtuar se vendimet e gjykatat vendase dhe ndërkombëtare janë më se të qarta në këtë rast.
“Pajtimi, normalizimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë të mundshme vetëm kur politika e së kaluarës të kapërcehet dhe të braktiset”, përfundoi ajo, transmeton Klan Kosova.