Kodi +383 e radhitë emrin e Kosovës në mesin e shteteve

Prishtinë | 07 Shk 2018 | 15:40 | Nga

Përdoruesit e telefonave të mençur (smartphones) kanë hasur që këto ditë, kodi shtetëror i Kosovës, +383 ka filluar të zbatohet nga aplikacione të ndryshme.

Në listën e kodeve të shteteve tani në aplikacionin Viber, i cili shërben për telefonata dhe mesazhe përmes internetit, mund të gjendet edhe Kosova me kodin telefonik +383.

Zbatimi i këtij kodi nga teknologjia online, po konsiderohet si hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të kodit telefonik +383, që pritet të funksionalizohet përfundimisht më 30 qershor të këtij viti.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi tha për Radion Evropa e Lirë se shfrytëzimi nga aplikacionet i kodit shtetëror të telefonisë të Kosovës, është duke u bërë në kuadër të zbatimit si dhe në kuadër të njoftimit të opinionit ndërkombëtarë për përdorim të kodit +383.

“Është obligim të shfrytëzohet nga të gjithë operatorët në të gjithë botën pasi të kalojë faza e tranzicionit që parashihet deri në fund të qershorit të hyjë në funksion dhe të përdoret vetëm kodi +383. Shfrytëzimi i kodit nga aplikacionet ka filluar më herët, por së fundit është bërë nga aplikacioni Viber, për çka ARKEP ka qenë në kontakt me shërbimin e këtij aplikacioni për të shpejtuar këtë proces”, thotë Gashi.

Ndryshimet që kanë ndodhur kohët e fundit me aplikacionin në Viber, shton Gashi, pritet të ndodhin edhe me të gjitha aplikacionet tjera. Sipas tij, deri më tani kjo është bërë me shumë aplikacione që shfrytëzohet në rrjetet sociale, qoftë aplikacione që shfrytëzohen nga aeroporte të ndryshme nëpër botë.

Kodi i ri shtetëror i Kosovës në mesin e kodeve tjera në aplikacionin Viber

Kodi shtetëror telefonik, Kosovës i është ndarë në dhjetor të vitit të 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Ky kod, ishte rezultat i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Agron Dida, ekspert për çështje të telekomunikacionit, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet bërë përpjekje nga autoritetet kompetente që kodin shtetëror të njohin edhe shërbimet tjera të komunikimit.

“Tani jo vetëm operatori Vala dhe IPKO, por edhe shërbimet në internet si Viber ka njohur kodin +383 dhe kjo është hap mjaft i rëndësishëm në fushën e telekomunikimeve. Të presim që këtë ta bëjë edhe Google, ta njoh kodin pasi që është sistem i fuqishëm i telekomunikimeve ndërkombëtare”, thotë Dida.

Përdorimi i kodeve të huaja ndërkombëtare, shton Dida, ka qenë një pengesë e madhe në fushën e telekomunikimeve. Kodit telefonik i Kosovës, sipas tij, do të sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe shërbime cilësore dhe më të lira për konsumatorët.

“Përveç shpenzimeve ka qenë pengesë e madhe në çdo aspekt. Ne duhet të identifikoheshim me një numër të Monakos apo Sllovenisë, kështu që nuk mund të bëheshin as transaksione bankare. Ka qenë një gjende që ka rënduar edhe bizneset dhe sistemet bankare dhe komunikimet në përgjithësi, si dhe zbatimin e projekteve të ndryshme me sisteme të fuqishme të komunikimit”, thotë Dida.

Aktualisht në Kosovë operojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381).

Ndërkohë, sa i përket telefonisë fikse, thirrjet hyrës dhe dalëse vetëm se realizohen me kodin +383, dhe sipas Kreshnik Gashi, kodi +381 i Serbisë mund të largohet para muajit qershor.

“Kodi +381 është duke u shfrytëzuar vetëm për shkak të moshumbjes të ndonjë thirrje eventuale, e që pritet të ndërpritet më së largu deri më 30 qershor, por sipas informatave që kemi nga operatorët telefonikë, kjo mund të ndodhë edhe më herët, pasi që në masë të plotë është duke u shfrytëzuar vetëm +383 për thirrjet hyrëse dhe dalëse”, thotë Gashi.

Kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme