Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në bashkëpunim me Programin e BE-së për Kodin Civil ka organizuar diskutimin me temën “Martesa, bashkëshortët dhe bashkimi civil në Kodin Civil modern të Republikës së Kosovës”, raporton Ekonomia Online.
Blert Morina, drejtor ekzekutiv në CEL, ka thënë se grupi punues që ka marrë pjesë në përbërjen e kodit civil të Kosovës nuk ka qenë i hapur ndërsa ka shtuar se Kushtetuta e Kosovës lë shumë gjëra të hapura dhe të papërcaktuara mirë.
“Grupi punues nuk ka qenë shumë i hapur për individë për të kontribuuar. CEL i ka dërguar rekomandimet sepse ne vazhdojmë me mendu që ky kod civil i ri është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Nuk thotë asnjëherë që me u rregullu me një ligj të ri. Rekomandimet tona janë të qarta që të rregullohet me ligj të ri martesa edhe jashtë heteroseksualë. Kushtetuta është shumë e hapur, lë shumë mundësi dhe nuk mundemi me lënë në dorë të grupit punues dhe më rreziku jetë njerëzish”, tha ai.
Alfons Benjamin Lentze, udhëheqës i projektit të BE-sw për kodin civil, tha se diferenca ka në të gjitha shtetet ndërsa këshilloi që qytetarët kosovarw të mos bëjnë krahasime.
“Çka do që jeni dhe çfarëdo backgroundi që keni jeni të barabartë para ligjit. Kemi nenin 37 e drejta për martesë në familje. Unë vi nga Holanda dhe ne nuk e kemi në Kushtetutë këtë nen kurse ju e keni këtë aspekt të përfshirë. Kur shikoj kolegët e mi të Kosovës i referohen vendeve të ndryshme. Kjo nuk është relevante sepse ligji civil është ligj vendor. Mos krahasoni çka ndodhë në Kosovë me atë që ndodhë në botë sepse ju keni një kushtetutë shumë të mirë dhe ajo duhet të respektohet nga të gjithë”, tha ai.
“…Në disa shtete ligji ndonjëherë mundet me u aprovu më vonë dhe situata mund të zhvillohet më herët. Në shtetet tjera ashtu edhe në Kosovë duhet të aprovoni ligjin para se të mund ta bëni ndryshimin. Njerëzit janë këtu. Nëse kanë ligjin janë më të lumtur”.
Kerstin Niethammer Jurgens, eksperte në programin e BE-sw për kodin civil tha se diskutimet në grupin punues në krahasim kur kanë filluar, janë më të hapura dhe më të detajuara.
“Prej 2011 deri sot kam pa shumë progres në diskutime për t’i siguruar të drejtat e grave. Kur kemi ardhë në Kosovë, kur ka fillu projekti, obligimi ka qenë që thjesht të shikojë se cila është përputhshmëria e ligjit ekzistues me standardet evropiane. Ne në Gjermani e kemi ligjin për martesë të së njëjtës gjini që në vitin 2017. Edhe Gjermania ka pasur problem me këtë ligj. Ne duhet t’i ofrojmë opsione qeverisë dhe të kërkojmë nga ata se pse nuk po e shfrytëzojnë rastin që të ofrojnë mundësi për martesë së gjinisë së njëjtë sepse kjo është mundësi për gjeneratat e reja. Po e bëjmë për ju, për fëmijët tuaj, ata duhet të jetojnë sipas kodit civil”, tha ajo, raporton EO.
Igballe Rogova, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grave, tha se do të reagojnë nëse rekomandimet nuk do të merren parasysh për përbërjen e kodit civil.
“Mua më duket absurde me u diskutu të njëjtat gjëra që ne i kemi futë në 2008. Ne do vazhdojmë të reagojmë edhe më tej dhe nëse nuk merren rekomandimet tona po iu garantoj se prapë do ta bëjmë një zhurmë të madhe. Janë tri gjëra të rëndësishme në këtë kod civil: martesat e hershme, janë problem sepse merreni me mend sa bëhen pa dëshirë. E dyta, martesa nuk duhet të jetë mes një burri dhe gruaje, por mes dy personave dhe e treta është bashkëjetesa mes burrit dhe gruas. Kushtetuta na lejon të bashkëjetojmë persona të gjinisë së njëjtë”, tha ajo.