Implementimi i Kodit Civil mund të jetë sfidë për profesionet e lira, andaj bashkëpunimi mes tyre dhe insitucioneve është ndihmesë në këtë aspekt. Kështu është bërë e ditur sot në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, me temë “Kodi Civil modern dhe sfidat e reja ligjore”.
Zv.ministri i Drejtësisë, Naim Qelaj, tha se Kodi Civil modern do të lehtësojë hulumtimin ligjor si dhe do të jetë më i lehtë për t’u kuptuar nga palët.
Qelaj tha se është optimist që ky kod do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të kufizuara.
“Ministria e Drejtësisë do të jetë në dispozicionin tuaj, jo vetëm në këtë fazë të hartimit por edhe të implemetimit. Sfidë për profesionet e lira e shoh implementinim e Kodit Civil. Kërkoj bashëpunim më të mirë në mënyrë që këto sfida të jenë më të lehta”.
“Qëllimi i MD-së nuk është që të kufizohet vetëm përmes formës klasike përmes hartimit të ligjeve… andaj MD ka vendosur që të mbajë takime konsultive në të gjitha komunat e Kosovës. Jemi optimistë që Kodi Civil do të japë përgjigje të duhur për problemet që i kemi identifikuar gjatë kësaj kohe”.
Haxhi Gashi, përfaqësues i Programit të Kodit Civil, tha se disa çështje do të rregullohen me ligje të veçanta, kjo pasi, sipas tij,Kodi duhet të rregullojë çështjet për një kohë më të gjatë.
“Çështja e pronësisë të shtetasve të huaj mendohet të shkohet me ligj të veçantë. Do të kemi një ligj të veçantë për privatizimin e tokës ndërtimore e cila nuk është e zgjidhur ende në Kosovë. Kemi një çështje për qiranë afatgjate. Po ashtu mendohet të zgjidhet me ligj të veçantë. Kodi civil mendohet të rregullojë një materie për një kohë të gjatë e ndryshimet të mos ndodhin shpesh”.
Kryetar i Odës së Avokatëve, Osman Havolli, kërkoi nga kolegët e tij që nga përvojat e tyre të kontribuojnë në përmirësimin e Kodit Civil.
Ai tha se Oda e Avokatëve ka ekspertë që merren me këtë çështje, raporton EO.
“Ju siguroj dhe garantoj që Oda ka ekspertë të çështjeve të tilla. Inkurajoj kolegët e mi të lëmisë civile. Është moment historik se i kontribuojmë drejtësisë”.
Projekti i financuar nga BE-ja, Mbështetja e Kodit Civil-Faza e dytë,është projekt i cili është duke vazhduar të mbështesë Ministrinë e Drejtësisë në përforcimin e ligjit dhe harmonizimim e legjislacionit të Kosovës me standardet evropiane në fushën e Ligjit Civil dhe të drejtave pronësore.
Projekti ka filluar në shkurt të vitit 2017 dhe pritet të përfundojë në janar të 2020-ës.
Shuma e këtij projekti kalon shifrën 2 milionë euro.