Ka pritur 20 vjet për të bërë histori, por si duket historia ka rezervuar për Albin Kurtin momentin më të keq të mundshëm – atë të antiheroit. Nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, me “Zajednicën” brenda, apo edhe më keq me farë autonomie për veriun, do të ishte njëkohësisht edhe nënshkrimi i kapitullimit të Kurtit si politikan dhe defunksionalizimit të Kosovës. Duke kundërshtuar “Zajdenicën” dhe autonominë për veriun ai është ngritur politikisht! Madje i gjithë profili i tij politik është ndërtuar duke kundërshtuar çdo proces nëpër të cilin ka kaluar vendi, përkundër faktit se Kosova kishte dalur mirë prej tyre. Kurti ka qenë kundër të gjitha nënshkrimeve që janë bërë në emër të Kosovës në këto vite dhe do të ishte jashtë imagjinate që nënshkrimi i tij i parë i pranueshëm, të cilin do ta bënte me dorë të vetë të jetë pikërisht “Zajdenica” apo autonomia e veriut.
A mund të jetë Kurti kaq fatkeq në politikë? A do të duhej që gjithsesi të ishte dikush në rolin e antiheroit në këtë moment historik për Kosovën? Megjithatë kohërat e vështira nxjerrin liderë të mëdhenj dhe kjo është mundësia e Kurtit. Përkundër faktit që ka tentuar ta relativizojë dialogun me Serbinë, duke renditur prioritete më popullore, ai do të mbahet mend për rezultatet që do të sjellë dialogu. Ashtu sikur paraardhësit e tij të fundit në rolin e kryeministrit të Kosovës, fati i tij është në duar të një procesi politik që do t’i jepte fund kontestit me Serbinë. Një lider i vërtetë që përballet me një situatë të tillë vetëm dy gjëra nuk mund t’i bëj; të heq dorë apo të mjaftohet me refuzim. Pranimi i “Zajednicës” dhe refuzimi për të gjetur zgjidhje e bëjnë antiheroin e plotë. Kjo forcohet edhe më tepër nëse ky do të ishte Albin Kurti. Kauzat nëpërmjet të cilave është ngritur ai, sidomos në planin e jashtëm, do të shndërrohen në pengesat më të mëdha për vetë atë.
Fatkeqësisht secila zgjidhje që po përmendet me “kompromise të vështira”, nuk duket se lë shumë vend për një happy end. Pas takimeve në Bruksel, kryeministri tha se nuk do të pranojë shkëmbime territoresh dhe bosnjëzim të Kosovës. Megjithatë ai nuk tregoi se çfarë do të pranojë! Ndoshta do të refuzojë gjithçka, përveç pranimit të Kosovës nga Serbia! Zgjidhje ideale! Nëse nuk ecën kjo atëherë mbetet status-quo në Kosovë dhe secili vazhdon në rrugën e vet. Kjo i bie t’i hapen dyert e zhvillimit Serbisë dhe t’i mbyllen Kosovës. Zgjidhja nuk duhet kërkuar ndërmjet propozimit të keq dhe refuzimit, por ndërmjet këtyre dy të parave dhe një propozimi praktik, prej të cilës nuk humb Kosova dhe e pranon Serbia.
Shkëmbimi i territoreve nuk duhet të kundërshtohet vetëm pse është ngritur nga politikanë të tjerë. Ky propozim është shndërruar në blasfemi jo për shkak të përmbajtjes, por shkak të rivalitetit politik. Nuk është mëkat të pranosh shkëmbimin e Leposaviqit të banuar me shumicë serbe me Preshevën të banuar më shumicë shqiptare. Mëkat është të pranosh “Zajednicën” ekzekutive që e nxjerr veriun jashtë kontrollit të institucioneve kosovare dhe nuk merr asgjë. Ndërmjet mundësisë për të shkëmbyer dhe falur, nuk është vështirë të zgjedhësh. Kurti megjithëse është ngritur nëpërmjet popullizimit e ka mundësinë e madhe që një herë në jetë të mos merr vendime populliste, por të rëndësishme dhe të mira për të ardhmen e Kosovës. Mbështetjen që ka duhet ta shfrytëzojë për vendime të guximshme që bëjnë zgjidhje.
Konteksti politik në të cilin gjendet Kosova kërkon përgjegjësi jo vetëm nga pozita. Përderisa Kurti mund të mbetet peng i popullizmit, pa pasur guxim të merr vendime jopopullore, opozita ka abstenuar duke pritur Kurtin që të bëj zgjidhjen e tij dhe mandej t’i bie në qafë. Të gjithë janë duke pritur hapin e tjetrit, por askush nuk guxon të pozicionohet qartë. Pozita e ka përgjegjësinë më të madhe, por qëndrim duhet të ketë edhe opozita. Përderisa liderët kosovarë shpenzojnë energjinë duke rivalizuar njëri – tjetrin se cili do të jetë më tepër patriot e cili më tepër tradhtar, Serbia vazhdon ta konsolidojë pozitën e vet në politikën ndërkombëtare. Të gjithë të tjerët, duke filluar prej shteteve të fuqishme dhe ato që kanë interesa në rajon, po vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre që ndërlidhen me Kosovën, ndërsa kosovarët në llogari të zgjedhjeve të ardhshme. Duket si një lloj dakordimi në heshtje i pozitës dhe opozitës, të cilët nuk kanë guxim për të marrë përsipër një barrë historike! Dakordimi për të mosguxuar nuk prodhon burrështetas, por të kundërtën e tyre!