Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka mbajtur sot Asamblenë Vjetore të Punës për vitin 2018.
Me shumicë absolute votash u miratua Raporti i Punës së KOK-ut për vitin 2018. Me vetëm një abstenim u miratua Raporti Financiar 2018 dhe me një votë abstenim u miratua Raporti i Auditimit 2017.
Në këtë mbledhje, po ashtu, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u zgjodh nënpresidenti i katërt i Komitetit Olimpik të Kosovës. Ai fitoi me 39 vota, një më shumë sesa kundërkandidati i tij, Ismet Krasniqi, president i Federatës së Karatesë së Kosovës.
Vendim tjetër që u mor ishte ai që Federata e Badmintonit të Kosovës të jetë anëtare e re e Komitetit Olimpik të Kosovës, ndërsa Federata e Mauy Thait u pranua me të drejta të kufizuara.
Në pjesën solemne, pjesëmarrësve iu drejtua ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. Ai i premtoi Komitetit Olimpik të Kosovës mbështetje edhe më madhe financiare nga ministria që ai drejton, raporton Ekonomia Online.
Ai përgëzoi KOK-un për zhvillimin e shumtë të aktiviteteve gjatë 2018-ës. “Kemi një raport voluminoz të punës dhe aktiviteteve që ka zhvilluar KOK-u. Kjo na inkurajon neve si ministri që ta financojmë edhe më fuqishëm KOK-un”.
“2018 njëri ndër vitet më të mira sa i përket rezultateve. Kosova është kampione e medaljeve gjatë këtij viti, po ashtu kemi rezultat të mirë edhe tek sportet kolektive dhe tashmë nuk është asgjë risi. Kemi kombëtaren tonë, e cila është para kualifikimit në Evropian. Kemi rezultate të mira edhe në basketboll e hendboll dhe sporte tjera. Kjo na gëzon sepse mbështetja financiare dhe ajo në infrastrukturë dhe fushat tjera e arsyeton me këto të arritura”, shtoi kreu i MKRS-së.
“Ne e konfirmojmë mbështetjen e fuqishme për KOK-un”, tha Gashi.
Në fjalën hyrëse, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, e quajti 2018-ën, vit të suksesshëm, duke përmendur edhe numrin 50 të medaljeve të fituara nga sportistët tanë, me besimin se ky numër do të rritet në vitin e ardhshëm. Ndër të tjera, presidenti Hasani përmendi edhe dërgimin e sportistëve në garat ndërkombëtare, debutimin në Lojërat Olimpike Dimërore Pyeong Chang 2018, etj.
“KOK përveç mbështetjes së federatave në ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, i ka ndihmuar ato edhe financiarisht. Shumat ishin të vogla, por nisur nga fakti se 31000 euro u ndanë në periudhën kur nevojat ishin të mëdha dhe këto shuma sa do të vogla kryen ndoshta punë të mëdha. Duam të ju përkujtojmë se vazhdon mbështetja e federatave ekipore, dhe siç e dini përfituese e grantit katërvjeçar në vlerën 60 000 USD për ciklin Olimpik 2017-2020 është Federata e Hendbollit e Kosovës”, theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, presidenti Hasani.
“Për 4 vite nga njohja nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Lëvizja Olimpike e Kosovës po dëshmohet se nuk është vetëm konsumuese e vlerave dhe mbështetjes nga Lëvizja Olimpike Ndërkombëtare, por po bëhet eksportuese e vlerave të mirëfillta sportive e olimpike”, deklaroi Hasani.
“Edhe pse jemi të rinj në familjen e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare, KOK-u është në zbatim të përpiktë të strategjisë për vitin 2015-2020. Kjo strategji jo vetëm që plotëson pritshmëritë e KON dhe organizatave të tjera ndërkombëtare sportive, pjesë e të cilave është KOK, por gradualisht po përqafohet nga të gjitha federatat sportive të Kosovës, që tashmë e kanë të qartë vizionin zhvillimor të sportit në Kosovë me objektiva strategjike, me prioritete të definuara në rrafshim kombëtar e ndërkombëtar”.
Hasani tha se sfidë mbetet padyshim moslejimi i ekipeve kombëtare të Kosovës në hendboll, karate dhe boks, të cilave iu pamundësua pjesëmarrja në kampionatet zyrtare të organizuara në Serbi dhe Indi.