Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes komunitetit të taekwondosë së Kosovës, ku të premten klubet aktive nënshkruan marrëveshje të përbashkët, për zhbllokimin e ngërçit që e kishte kapluar këtë sport për rreth një dekadë.
KOK përgëzon marrëveshjen e arritur mes të dy grupeve të ndara prej kohësh, duke konsideruar se me këtë bashkëpunim do të përfitojnë më së shumti taekwondistët, klubet dhe i gjithë sporti i Kosovës.
Për herë të parë, asnjë klub aktiv i këtij sporti në Kosovë nuk ka mbetur jashtë marrëveshjes, duke përmbushur qëllimin e KOK-ut që të gjithë sportistët aktivë të jenë pjesë e Federatës së Taekwondosë së Kosovës dhe njëherit të synojnë që përmes rezultateve të arrijnë të përfaqësojnë shtetin e Kosovës edhe në gara ndërkombëtare, gjë që shumë sportistëve iu kishte mohuar kjo e drejtë për shkak të ndasive që ekzistonin prej vitesh.
Komiteti Olimpik i Kosovës falënderon të gjitha klubet aktive që iu përgjigjen ftesës tonë për organizuar një Kuvend të jashtëzakonshëm Zgjedhor deri më 30 nëntor 2018, dhe të zgjedhin një strukturë të re udhëheqëse të taekwondosë, si zgjidhja e vetme për të mënjanuar pakënaqësitë e mëdha.
Me këtë rast, KOK e mbështet Këshillin Inicues të dalë nga kjo marrëveshje, si dhe konfirmon pjesëmarrjen në këtë këshill dhe në Kuvendin Zgjedhor.