Profesoresha e Masterit Ekzekutiv të Menaxhimit të Organizatave Sportive (MEMOS), Tracy Taylor, është duke ligjëruar në Kursin e Avancuar për Menaxhimin Sportiv (ASMC 1), i cili për herë të parë po mbahet në Kosovë dhe po organizohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Taylor ka shprehur mbështetjen e saj për Komitetin Olimpik, ashtu si edhe për Federatat Sportive.
“Jemi për t’i dhënë mbështetje Komitetit Olimpik dhe Federatave Sportive, të sigurohemi se ata strukturalisht janë në rrugën më të mirë. Kursi ofron njohuri në ndërtimin e kapaciteteve me organizatat sportive për t’i dhënë mbështetje sportit në vend. Jam këtu duke folur për aspektet e menxhimit të burimeve njerëzore dhe duke iu drejtuar njerëzve, duke këshilluar dhe duke u dhënë mundësi atyre”, u shpreh ajo.
Edhe për KOK-un, ajo dha mendimin e saj.
“Nuk është vetëm ajo se KOK bën punën e vet, por është për mbështetjen që KOK jep për sportin në përgjithësi dhe për vendin që ndihmon sportin të jetë më i miri”, tha ajo.
Presidenti I KOK-ut, Besim Hasani, ka thënë se nga përvojat që po jep profesoresha nga Australia, lehtë mund të përfitojnë Federatat e Sportit në Kosovë.
“Bazuar në planin strategjik të KOK-ut për pjesën e menaxhimeve të burimeve njerëzore tani jemi duke punuar me kursin e avancuar ku marrin pjesë sekretarë të përgjithshëm dhe presidentët të Federatave të ndryshme. Ky është moduli i gjashtë, kemi të bëjmë me menaxhimin e burimeve njerëzore dhe jemi të nderuar që këtu është një profesoreshë e masterit ekzekutiv që nën patronatin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, profesoresha nga Australia, sot po e ndanë tërë eksperiencën e saj”, tha ai raporton EO.
“…Pa dyshim se këto përvoja të mira, eksperienca të jashtëzakonshme që profesoresha po i ndanë mund të përkthehen në përfitime të shumta për çdo federatë dhe për KOK-un sepse çdo gjë është lehtë e zbatueshme në federata, mjafton me i përcjellë parimet dhe principet të cilat shpjegohen këtu”, tha Hasani.
Këtë fundjavë po mbahet Moduli 6 i këtij kursi, që ka nisur në maj të vitit të kaluar, derisa ASMC 1 numëron 9 module.