Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka ngushëlluar familjen e Fadil Vokrrit, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 57-vjeçare pas një sulmi në zemër, transmeton Ekonomia Online.
Vokrri, i cili ishte edhe nënpresident KOK-ut, sipas Hasanit ishte njeriu që kishte merita të jashtëzakonshme për anëtarësimin e futbollit kosovar në UEFA dhe FIFA, dhe ndërroi jetë në kohën kur i duhej më së shumti Kosovës dhe sportit tonë.
Në telegram ngushëllimin e Hasanit thuhet se Vokrri dhe vepra e tij i sollën Kosovës shumë miq Kosovës, të cilët ia hapën dyert sportit kosovar.
“Është e vështirë të gjenden fjalë që përshkruajnë kontributin e njeriut me të cilin krenohej e gjithë Kosova në kohën kur luante dhe në kohën sa drejtoi futbollin kosovar. Emri dhe vepra e tij i sollën shumë miq Kosovës, të cilët ia hapën dyert sportit, në veçanti lojës të cilës Fadili ia kushtoi një jetë, futbollit”.
“Vdekja e Vokrrit, na ka prekur e pikëlluar të gjithëve që e kemi njohur dhe kemi punuar me të. Vokrri ishte figura më e shquar e futbollit tonë në vitet e arta të Prishtinës, duke u bërë idhull i çdo tifozi shqiptarë, por jo vetëm”.
“Nga viti 2012 Vokrri dha kontribut edhe në Lëvizjen Olimpike, duke u emëruar anëtar i Bordit Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, në Asamblenë Zgjedhore. Katër vjet më vonë, në Asamblenë Zgjedhore të dhjetorit 2016, Vokrri u emërua nënpresident i Komitetit Olimpik të Kosovës. Emri i madh i tij dhe e kaluara e tij vetëm sa e bënë edhe më të pasur Lëvizjen Olimpike në Kosovë”.
Hasani thotë se kujtimi për Fadil Vokrrin do të jetë i përhershëm, si një shembull i devotshmërisë dhe i angazhimit të palodhshëm në kuadër të ngritjes së futbollit të Kosovës në një nivel më të lartë.
Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë Lëvizjes Olimpike në Kosovë, Hasani shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij, miqëve, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë dashamirëve të sportit, për humbjen e një njeriu të madh dhe një krahu të fuqishëm të sportit të Kosovës.