Kolegji IBCM mban konferencë online kushtuar ngritjes së cilësisë së mësimit në distancë gjatë epidemisë

Prishtinë | 19 Pri 2020 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Përderisa e gjithë bota, përfshirë edhe Kosovën, është inkuadruar në betejë kundër zgjerimit të virusit korona, aktivitetet vitale të çdo shoqërie, sikurse edukimi në Kosovë, zhvillojnë formate të reja pune – sikurse mësimi në distancë — për ta thyer bllokadën, për ta përmbushur misionin e vet dhe për t’ju mundësuar studentëve vazhdimin e procesit akademik.

Ishin këto disa nga konkludimet kryesore nga konferenca on-line, të cilën e
organizoi Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë (IBC-M) dhe në të cilën moren pjesë Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë Stergios Stragoudas, ekspertë ndërkombëtarë e vendor të fushës prof. Claire Gordon nga London School of Economics, Rektori i Univerzitetit të Prishtinës Prof. Marjan Dema, drejtoresha ekzekutive e Agjencionit të
Akredimit Gjerman EVALAG Dr. Anke Rigbergs, përfaqësuesi i Agjencionit Kosovar të Akreditimit Shkëlzen Gerxhaliu si dhe drejtoresha e kolegjit IBC-M Prof. Mihone Kerolli Mustafa dhe drejtoresha akademike prof. Jelena Djokic.

Për shkak të krizës së shkaktuar nga virusi korona, nga 15 Marsi, institucionet akademike në Kosovë kanë kaluar nga formati tradicional i mësimdhënies në atë të mësimit në distancë (on-line), i cili me vete ka sjell një metodologji krejt tjetër të mësimdhënies, zënies së dijes dhe interaksionit mes studentëve dhe profesorëve të tyre. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Znj. Hykmete Bajrami, ka pranuar që “shpërthimi i krizës me virusin korona e ka ndryshuar në tërësi agjendën paraprake të ministrisë” së saj.

“Kriza, po ashtu, ka ndryshuar synimet tona, në krahasim me ato fillestare,” ka thënë ajo, duke shtuar se institucionet e arsimit të lartë kanë reaguar shpejtë dhe kanë bërë punë të mirë në kalimin nga mësimdhënia tradicionale në atë në distancë, duke vazhduar misionin e tyre të rëndësishëm.

“Po marim raporte për inkuadrimin e lartë të studentëve dhe profesorëve në sistemin on-line të mësimit. Tani, sfida kryesore dhe më madhore për të gjithë pjesëtarë të komunitetit akademik është sigurimi i kualitetit në kuadër të sistemit të ri të punës,” ka thënë ajo, duke theksuar rëndësinë e Koalicionit për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (CHEQA), të cilit i prin IBC-M dhe në kuadrin e të cilit është mbajtur kjo konferencë.

Drejtoresha e Kolegjit IBC-M, Mihone Kerolli Mustafa, ka thënë se kalimi në sistemin e mësimit në distance ishte reagim emergjent ndaj rrezikut që i ishte kanosur me bllokadë procesit akademik. IBC-M është një nga institucionet e arsimit të lartë që qysh nga viti 2010 ka filluar aplikimin e arsimit on-line, sidomos me programet e dyfishta qe ofron kolegji.

“Si shoqeri mendoj se ne nuk ishim të përgatitur paraprakisht për ta aplikuar mësimin në distancë si format kryesor pune në procesin edukativ,” ka thënë ajo, duke shtuar se kolegji i saj ka reaguar shpejtë dhe e ka lansuar sistemin on-line të mësimdhënies.

Ajo ka theksuar se përmbushja e misionit që e ka sistemi i arsimit të lartë, nënkupton unifikimin e standardeve dhe modelit të mësimit në distancë, si dhe re-dizajnimin e kurrikulave për mësimin tradicional në atë të mësimi në distancës, gjë që do të mundësonte “një proces efektiv në sigurimin kualitativ te shërbimit edukues për të gjithë studentët”.

Stergios Tragoudas nga Zyra e BE-së në Kosovë, ka uruar Ministrinë, IBCM-në dhe institucionet tjera arsimore në Kosovë “për reagim të shpejtë në kalimin në sistemin on-line të mësimit”.

“Kjo mundet të shërbej si një shembull,” ka thënë ai, duke siguruar që BE-ja
nuk do të lejojë asnjë çrregullim në projektet që ajo i përkrahë në Kosovë për shkak të situatë aktuales.

Claire Gordon, profesoreshë nga London School of Economics dhe një nga ekspertet më të shquara Evropiane në fushën e edukimit on-line, ka thënë se mësimi në distancë, një herë kur ai aplikohet, duhet të siguroj “kontinuitetin kualitativ të edukimit” dhe “zhvillimin e njohurive dhe aftësive që studentëve u duhen për të ardhmën e tyre”.

Sipas saj objektivat kryesore të sistemit të mësimit në distancë janë: sigurimi i progresit të studentëve, insertimi barabartë i mësimdhënies klasike dhe kërkimit në kurikulat për mësimin on-line, si dhe përcaktimi i formave dhe modeleve të punës që do të siguronin qe studentët të jenë aktivë gjatë mësimit në distancë në të njëjtën mënyrë sikurse ata janë në
sistemin tradicional.

“Sistemi i mësimit në distancë duhet të jetë fleksibil sepse nuk guxon të harrohet se gjatë mësimit on-line studentët do të jenë të vetmuar, nuk do të jenë në kuadër të komunitetit të vetë akademik dhe nuk do të jenë në gjendje të kenë jetën aktive në komunikim me kolegët, profesorët dhe institucionet e tyre, gjë që tek ata mund të shtoj stresin edhe ashtu prezent
nga kriza që e ka shkaktuar lansimin e mësimit në distancë,” ka thënë ajo.

Rektori i Univerzitetit të Prishtinës, prof. Marjan Dema, ka paraqitur sfidat dhe të arriturat e Universitetit të Prishinës në aplimin e sistemit on-line në këtë kohe pandemie. “Universiteti me të gjitha kapacitet i është përgjigjur me sukses aplikimit të sistemit në distancë.

Ka angazhuar mbi 300 vulnetarë nga universiteti qe jane duke dhënë kontribut në avancimin e platformave on-line, ofrimin e shërbimeve të ndryshme, shkrime autoriale, konsulenca.

Po ashtu UP ka lansuar faqen e shëndetit mendor, e cila ofron video psiko-edukuese për shëndetin mendor dhe ruajtjen e tij gjatë pandemisë COVID-19.

Universiteti po ashtu ka vënë në funksion resurset humane dhe ato materiale, në ndihmë të institucioneve dhe komunitetit, me mision tejkalimin e situatës së krijuar sa më parë dhe me më pak pasoja,” ka thënë ai.

Sipas tij, ekspertë dhe studentë janë duke ofruar ndihme laboratorike për t’i
shërbyer interesit të përbashkët për mbrojtjen e shëndetit publik. Po ashtu, është në hartim e sipër strategjia exit nga situata e krijuar, ka thënë ai.

Drejtoresha ekzekutive e Agjencionit të Akredimit Gjerman (EVALAG), Dr. Anke Rigbergs, ka potencuar proceduarat e operimit dhe kriteret e aplikimit mbi standardet e kërkuara Evropiane për akreditimin e programeve on-line dhe hapat e marra nga agjencioni në identifikimin e ekspertëve të fushës mbi hartimin e kurrikulave për programet on-line.

Ajo ka theksuar se kalimi i shpejt në mbarë boten nga sistemi tradicional në atë on-line paraqet sfida të reja mbi agjencionet e akreditimeve dhe aplikimit të standardeve që sigurojnë cilësinë e kësaj forme të aplikimit.

Përfaqësuesi i Agjencionit Kosovar të Akreditimit,. Shkelzen Gërxhaliu, ka paraqitur sfidat e agjencionit në operim gjatë kësaj kohe pandemie. Ai ka paraqitur si nevojë hartimin e standardeve për mësimin në distancë dhe modeleve efektive që do të ndikonin në rritjen e cilësisë së këtyre formateve.

Agjencioni Kosovar i Akreditimit momentalisht është duke shikuar mundësinë e vlerësimit të aplikacionieve për akreditimin institucional të institucioneve të arsimit të lartë dhe përzgjedhjen e ekspertëve ndërkombetar që do të marrin pjesë në vlerësim e programeve on-line, nëse situata me epidemi vazhdon.

Drejtoresha akademike në IBC-M, prof. Jelena Djokic, ka thënë se kolegji i saj, lidhur me sfiden jashtëzakonisht të madhe të vlerësimit të punes dhe notimit të studentëve, tani një kohë të gjatë e ka sistemin e veçant për gradimin e studentëve falë diplomave të dyfishta që i nxjerr ky kolegj me partnerët ndërkombëtar në Danimarkë dhe Lituani.

Pjesëmarësit në konferencë në fund janë pajtuar që dizajnimi i sistemit adekuat dhe unik për sigurinë e cilesise të mësimit në distancë është thelbësor për të siguruar mësimdhënie kualitative, përfundimin e suksesshëm të vitit vijues akademik, si dhe për të përmbushur misionet dhe objektivat e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të tyre që
ofrojnë.

Kolegji IBCM do të vazhdojë me forume tjera diskutimi, duke involvuar institucione të arsimit të lartë dhe akterë tjerë në Kosovë, për të nxjerr dhe vlerësuar treguesit bazë të zbatimit të praktikave të mësimit në distancë, si dhe duke ofruar një platformë të diskutimit në drejtim të avancimit të cilësisë në arsim.

Të ngjashme