Kolgeci: Rastet më të shpeshta të kancerit të mushkërive prekin personat rreth moshës 50-vjeç

Prishtinë | 05 Pri 2026 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Vetëm një përqindje e vogël e pacientëve me kancer të mushkërive arrijnë të trajtohen me ndërhyrje kirurgjikale, pasi shumica e rasteve diagnostikohen në faza të vonshme, tha në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.

Kolgeci theksoi se vonesa në paraqitje dhe neglizhimi i simptomave, siç është kolla, ndikojnë që pjesa më e madhe e rasteve të jenë të paoperueshme.

“Te sëmundjet e kancerit të mushkërive situata është pak më ndryshe, për arsye se të gjithë kanceret, diku rreth 10-15% të rasteve janë që operohen. Të tjera raste, 85% ose rreth 80% të rasteve janë inoperabile. Për arsye se njerëzit që vuajnë prej kancerit të mushkërive zakonisht kanë kollë, dhe kolla është një prej shenjave që mund të kenë kancer të mushkërive, dhe këta pacientë zakonisht vijnë me vonesë. Dhe gjithmonë janë ato raste ku nuk kemi mundësi t’i hyjmë me ndonjë intervenim kirurgjik. Edhe nuk mund të them një statistikë të saktë për këto, për arsye se më kompetentë për këtë ndoshta janë pulmologët, për arsye se ata i trajtojnë dhe i diagnostifikojnë më shpesh edhe më tepër. Prandaj, kjo është një diçka që duhet me u thënë si një këshillë dhe sugjerim për pacientët, se jo çdo kollë duhet të neglizhohet. Këtu faktikisht duhet të shkohet me herët, sidomos ata që janë duhanpirës, duhet të kenë kujdes dhe duhet të bëjnë vizita sa më të shpeshta tek pulmologu apo tek kirurgu torakal”, tha ai.

Ai theksoi se faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje janë të shumtë, ku përveç predispozitës gjenetike rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorët mjedisorë dhe mënyra e jetesës.

“Së pari, çdo herë te kanceri dhe sidomos të gjithë kanceret, faktori kryesor është faktori gjenetik. Ndërsa faktorët e tjerë janë ato pirja e duhanit, ajri i papastër, punimet në miniera e shumë të tjera do të thotë që ndikojnë në sëmundjet e kancerit të mushkërive apo edhe kancereve të tjera”, tha ai.

Sipas tij, rastet me kancer të mushkërive prekin një gamë të gjerë moshash, por më të shpeshta janë tek personat rreth moshës 50-vjeçare.

“Shikoni, ne kemi pas prej moshës 22 vjeçare deri në moshën 90 vjeçare. Po periudha dhe mosha e cila është më shumë e frekuentume është mosha 50 vjeçare”, tha ai.

Kolgeci foli edhe për rastet me tuberkuloz, duke theksuar se ato janë më të rralla në këtë klinikë dhe zakonisht trajtohen nga pulmologët, ndërsa në kirurgji torakale trajtohen vetëm rastet e komplikuara.

“Rastet me tuberkuloz janë zakonisht ato raste kur janë me terapi rezistente që vijnë tek neve, dhe kur komplikohen me empiemë ose efuzion ose pneumotoraks. Pavarësisht se në klinikën tonë vijnë, këto raste janë më të rralla sepse këto trajtohen nga ana e pulmologëve. Por edhe tek ne frekuentohen raste dhe kemi pas. Aktualisht nuk kemi pacientë me tuberkuloz, por gjatë gjithë periudhës së kohës kemi raste të cilat trajtohen edhe tek ne për shkak jo të trajtimit të sëmundjes tuberkuloze, por për shkak të problemit që i shkakton tuberkuloza siç janë pneumotoraksi ose empiema. Që nuk janë shumë të shpeshta po kemi raste, gati gjatë gjithë kohës kemi një ose dy raste që trajtohen tek ne. Jo një apo dy raste në vit, por gati gjatë gjithë kohës kemi ndonjë rast ose nga dy raste që trajtohen tek neve”, tha ai.

Të ngjashme