Koloseu i Romës do t’ua mundësojë vizitorëve qëndrimin ku luftuan gladiatorët

Prishtinë | 07 Maj 2021 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Është miratuar një projekt për të ndërtuar një dysheme brenda Koloseut Romak që do t’ua lejojë vizitorëve të qëndrojnë aty ku dikur kishin luftuar gladiatorët.

Ministri i Kulturës në Itali, Dario Franceschini, ka thënë se skena e re e punuar me teknologji të lartë do t’i lejojë vizitorët “të shohin madhështinë e monumentit”, shkruan Euronews.

“Është një hap tjetër drejt rindërtimit të arenës, një projekt ambicioz që do të ndihmojë në ruajtjen dhe mbrojtjen e strukturave arkeologjike duke rikuperuar imazhin origjinal të Koloseumit dhe gjithashtu duke i dhënë atij natyrën si një makinë komplekse skenike”.

Dyshemeja prej druri do të kushtojë 18.5 milion euro për t’u ndërtuar dhe duhet të përfundojë deri në vitin 2023.

Skena ka qenë origjinale në amfiteatrin e shekullit të parë dhe ka ekzistuar deri në vitet 1800, kur u hoq për gërmime arkeologjike në nivelet nëntokësore të strukturës antike, tha Franceschini.

Kjo dysheme do të mundësojë që të mbulohen dhe zbulohen shpejt strukturat nëntokësore që lejojnë depërtimin e dritës natyrore si dhe mundësojnë mbrojtjen e tyre nga shiu.

Po ashtu edhe njësitë e ventilimit mekanik do të kontrollojnë temperaturën dhe lagështinë e strukturave nëntokësore.

Të ngjashme