Sipas komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), i kishte rreth 20 mijë ushtarë.
Për Brigadën “Hasan Prishtina”, e cila sipas aktakuzës së Prokurorit Elez Blakaj u shpik për t’i fryrë listat e veteranëve, ai thotë të mos ketë njohuri, pasi që nuk i ka ditur emrat e brigadave të tjera, përveç në zonën ku ka operuar.
Ndërsa, deklaron se vendi ka nevojë për prokuror profesional dhe të guximshëm sikurse Elez Blakaj.
Se në luftë nuk kanë marrë pjesë aq ushtarë sa tani marrin pensione si veteranë, kjo po thuhet thuajse nga të gjithë komandantët e zonave operative. Në mbështetje të deklaratave të Sylejman Selimit, Spiro Butkos e Jakup Krasniqit ka dalë edhe komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.
Të gjithë këta po deklarojnë se listat e veteranëve janë fryrë. Këtë po e pranon edhe Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.
Mustafa i ka thënë Gazetës Express se numri i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës ka qenë rreth 20 mijë. Madje, ai thotë se kjo shifër figuron edhe në shënimet e NATO-s, organizata si IOM-i, si dhe nga burimet brenda strukturave të UÇK-së.
“Unë e di se janë të arkivuara me saktësi numri i ushtarëve të UÇK-së, dhe përafërsisht nga të gjitha burimet si strukturat e UÇK-së, shënimet e NATO-s, organizata si IOM e të tjera sillet numri rreth 20,000 ushtarë, së fundi gjatë debateve janë deklaruar edhe anëtarë të SHP dhe me saktësi kanë treguar për këtë numër të ushtarëve, si gjeneral Sylejman Selimi, Spiro Butko, Jakup Krasniqi”, ka thënë Mustafa.
Për Brigadën “Hasan Prishtina”, e cila përmendet në aktakuzën e prokurorit Elez Blakaj, ku thuhet se kjo brigadë u shpik për t’i fryrë listat e veteranëve, ai thotë të mos ketë njohuri, pasi që siç deklaron se nuk ka njohuri për emrat e brigadave jashtë zonës ku ka operuar.
E për atë se cila zonë ka pasur më së shumti ushtarë, ai thotë se mund të flasë vetëm për zonën ku ai ka udhëhequr.
“Unë nuk kam njohuri për zonat e tjera, por di që numri i ushtarëve në zonën që unë kam udhëheqë ka pasë aq sa raportohet në media, pra rreth 5.000 ushtarë, aq sa ka dalë afërisht edhe numri i veteranëve tani së fundi gjatë verifikimit”, tha ai.
Mustafa deklaron se nga momenti kur janë krijuar kushtet ligjore, është krijuar ambient politik dhe është hapur mundësia që të ketë aplikantë të secilit që ka qenë kontribuues për veprimin e çfarëdo lloji në ndihmë të UÇK-së, qoftë edhe indirekt, pra është bërë thirrje që të gjithë të aplikojnë dhe të gjithë aplikuesit tani quhen veteranë gjë që kanë pasur të drejtë, aplikojnë secili që mendon që ka kontribuar për vendin.
Por, ai thotë se Qeveria është dashur të bëjë seleksionimin e secilit rast. Për këtë ai propozon që të ndiqen modelet që janë përdorur në vendet e tjera. Deklaron se para se të shpallen veteranët është dashur të konsultohen arkivat e Shtabit të Përgjithshëm. Gjersa thotë se në këto arkiva duhet të kërkohet rruga e daljes nga këto vështirësi që janë krijuar lidhur me veteranët.
“Tani Qeveria është dashur të bëj seleksionimin, e secilit rast veç e veç, dhe të rangojë sipas modeleve që janë përdorë në vendet tjera… Unë besoj se ka mundësi dhe duhet të krijohen mundësi dalluese të 20.000 veteranëve me të tjerët aktivistë të lirisë që janë ndoshta edhe më meritore se të tjerët… sa vështirë është të dallohen akterët që vepruan bashkërisht shihet edhe me këto mosmarrëveshje ku as vetë Qeveri s’ka gjetë rastin ende të bëjë punën si duhet. Gabim me dashje apo jo i garantimit të benificioneve para se të shpallen veteranët, pse nuk u konsultuan arkivat e SHP? Këtu duhet të kërkohet rruga e daljes nga këto vështirësi që janë krijuar lidhur me veteranët”, ka deklaruar Mustafa.
E për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, që po hetonte listat e fryra të veteranëve dhe për deklaratat e tij për sistemin e korruptuar në drejtësi, ai thotë se nuk ka koment. Por, deklaron se vendi ka nevojë për prokuror profesional dhe të guximshëm sikurse Blaka.
“Nuk kam koment, e di se vendi ka nevojë për prokuror profesional si z. Blakaj, por edhe të guximshëm dhe të përkrahur nga të gjithë ne, unë ndihem keq kur njerëzit profesionistë, qoftë prokurorë, mjekë apo të tjerë, ikin nga vendi i tyre duke mos gëzuar ambient për të kryer punët si duhet”, shton Mustafa.
Ndërsa, për disa lista për numrin e veteranëve dhe shpërndarjen e armatimit të rëndë nëpër zona që po qarkullojnë nëpër internet, sipas të cilave UÇK-ja kishte 13 mijë e 458 ushtarë, lista të cilat mbajnë nënshkrimin e Agim Çekut, Mustafa thotë se janë të sakta.
Por, ai thotë se ka pasur ndryshime në to pak më vonë. Ai deklaron se të gjitha këto të dhëna janë në arkivat e Shtabit të Përgjithshëm apo evidencat e TMK-FSK.
“Sigurisht se janë nënshkruar, për këtë duhet pyetur zoti Çeku, këtij regjistri duhet bashkangjitur edhe njësi tjera si ajo e operacionet Shigjeta apo edhe tjera… e di se të gjitha duhet të ekzistojnë ne arkivat e ShP të UÇK apo edhe evidencat e TMK-FSK po edhe institucione te tjera”, ka thënë Mustafa.
Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe me Agim Çekun, që të marrë informacione nëse shifrat që përmenden në këto lista janë të sakta, por i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve të gazetës.
Për numrin e saktë të ushtarëve të UÇK-së ka folur edhe ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express nga burgu i Dubravës.
“Sipas të gjitha shënimeve të komandantëve të zonave, në përgjithësi ka variuar numri deri në 12700”, ka deklaruar Selimi.
Me deklaratat e Selimit është pajtuar edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Edhe sipas Krasniqit, UÇK-ja nuk kishte më shumë se 13 mijë ushtarë.
Ndryshe, të akuzuar për fryrje të listave të veteranëve nga prokurori i dorëhequr Elez Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.
Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.