Komandani i Njësisë Speciale të Kosovës, Amir Gërguri ka thënë se nuk e njeh as nuk e ka parë kurrë më parë të dëmtuarin Nusret Azemi, në rastin ku Arsim Shabani dhe Mirsad Përcuku në cilësinë e policëve po akuzohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
“Unë e kam parë dje, për herë të parë e kam taku në objektin e gjykatës nuk e kam njohur nuk e njoh as sot edhe në deklaratën që e kam dhënë para hetuesve në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), kam kërkuar që Nusret Azemi të hetohet penalisht për shkak të deklaratave të rrejshme për shkak insinuatave që i ka drejtuar në drejtimin timin si komandat i Njësive Speciale”, deklaroi dëshmitari Gërguri.
Një deklarim të tillë, ai e ka dhënë në seancën e së enjtes, i cili është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit raporton, “Betimi për Drejtësi”.
Gërguri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Shabani avokatit Muhamet Mujaj ka pohuar se pranë Inspektoratit Policor të Kosovës më 11 maj 2016, kishte dhënë deklaratë pasi që sipas tij, kishte qenë i ftuar për të sqaruar situatën për një ankues.
Tutje, dëshmitari Gërguri deklaroi se ditën kritike kishte qenë ditë proteste tek objektet qeveritare, duke shtuar se në të njëjtën ditë kishte qenë në detyrë zyrtare në implementimin e planit operativ gatishmëria vepruese.
Gjatë dhënies së dëshmisë së tij i njëjti ka mohuar se atë ditë kishte qenë tek parkingu mbrapa Pallatit të Rinisë.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Mujaj i njëjti deklaroi se të gjithë pjesëtaret e policisë së njësive speciale janë të pajisur me shufra të gjata dhe me maska, ndërsa shtoi se kohën kur kishte ndodhur ngjarja për Njësinë e Reagimit të Shpejtë nuk ishte i sigurt nëse kanë pasur maska por tha se aktualisht kjo njësi është e pajisur.
Dëshmitari Gërguri ka thënë se për këtë plan operativ përpos Njësisë Speciale Operative (NJSO), kanë qenë edhe Njësitë e Rendit Publik, Njësiti për Reagim të Shpejtë, Njësiti i Hetimeve dhe Forenzikës dhe njësi të tjera për ta cilat tha se nuk i kujtohen saktë.
Ndërsa, tutje i njëjti shtoi se ka pasur mundësi që Njësia Speciale Operative të ketë qenë mbrapa Pallatit të Rinisë por për një gjë të tillë nuk mund të konfirmoj pasi që nuk i kishte raportet pas operacionale për të sqaruar saktë këtë.
“Është e mundshme sepse situata fillimisht është menaxhuar tek objektet qeveritare ku ka pas sulme të dhunshme nga protestuesit në drejtim të objekteve qeveritare pastaj Njësit Speciale kanë qenë të detyruar të përdorin agjent kimik-gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre edhe kur janë shpërndarë protestuesit janë ndarë në grupe të vogla, edhe njëri nga grupet ka mundur që të shkoj mbrapa Pallatit të Rinisë, për momentin nuk mund të konfirmoj që pjesëtarët e NJSO-se kanë qenë në atë pikë por është e mundshme, po ti kisha raportet pas operacionale para 6 vitesh e kisha sqaru për momentin është e pa mundshme sepse unë i referohem dokumenteve zyrtare”, tha dëshmitari Gërguri.
Tutje, në pyetjen e avokati Mujaj se a ishte në dijeni se i dëmtuari Azemi ka paraqitur kallëzim penal ndaj jush në vitin 2016, dëshmitari Gërguri deklaroi ishte në dijeni për këtë pasi që kjo ishte arsyeja që është marr në pyetje nga hetuesit e IPK-së.
“Po, kur jam marr në pyetje nga hetuesit e IPK-së kjo ka qenë edhe arsyeja dhe për këtë arsye unë kam kërkuar nga IPK që të hetohet pala e cila ka bërë një kallëzim penal pa me njohur pa me takuar asnjëherë në jetë edhe unë nuk i kom dit as motivin e as qëllimin e palës pse e ka bërë”, ka thënë ai.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Arbëresha Shala dëshmitari Gërguri deklaroi se tani të akuzuarit Shabani dhe Përçuku nuk kanë qenë e as nuk janë vartësit e tij, duke mohuar të dijë se ku kishin qenë ata më 17 nëntor 2015 rreth orës 10-12:00.
Ndërsa në pyetjen e të dëmtuarit Azemi se a e njeh personin me emrin Gani Behrami dëshmitari Gërguri tha se personin në fjalë nuk e njeh.
Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 12 nëntor 2021.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 janar 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Arsim Shabanit dhe Mirsad Përçukut, të cilët i ngarkon me veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Shabani dhe Përçuku më 17 nëntor 2015, në cilësinë e personave zyrtarë të Policisë së Kosovës, derisa kanë qenë duke e shoqëruar në Stacionin Policor Qendra tani të dëmtuarin Nusret Azemi, por edhe pasi kanë hyrë brenda në stacion kanë keqpërdorur detyrat dhe autorizimet e tyre, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin në atë mënyrë që e kanë goditur në kokë dhe trup. Nga goditjet thuhet se i dëmtuari Azemi ka pësuar lëndime dhe i janë shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike.
Me këtë, secili veç e veç akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 198, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tre vite.