Ish-ministrja dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku po shihet si një nga emrat më favorit për të marrë udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e brendshme partiake që do të mbahen me 3 korrik.
Ishte kreu në detyrë i këtij subjekti, Enver Hoxhaj që mbrëmë bëri të ditur se është marrë vendim në struktura që Partia Demokratike të shkojë në zgjedhje të brendshme, për të zgjedhur kryetarin e ri.
Në opinion ka një kohë që po diskutohen disa emra si pretendent për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme në Partinë Demokratike.Reklamë
Një nga ta është edhe Vlora Çitaku, që pati kërkesë që të bëhet kryetare e PDK-së.
Komentuesit, kanë kërkuar nga Çitaku që të jetë ajo personi që do ta marrë udhëheqjen e partisë, pas arrestimit të Kadri Veselit nga Haga.
Pavarësisht komenteve, Çitaku nuk ka folur publikisht nëse ajo po e mendon kandidimin për kryetare të partisë.
Ajo dje ka shkruar se PDK ka bërë hapin e duhur duke vendosur për të shkuar në zgjedhje për lidershipin e partisë.
“Lajm jashtëzakonisht i mirë. Përtej ndryshimeve nominale, ndryshimet programore dhe strukturore janë po aq të rëndësishme. Në një demokraci të shëndoshë roli i opozitës është vital. Bravo Respekt maksimal për Enver Hoxhajn, i cili në rrethana krejt të jashtëzakonshme mori përgjegjësinë për ta udhëhequr PDK-në. Na priftë e mbara”, tha Çitaku.