Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka prezantuar hapat e ardhshëm, rekomandimet dhe veprimet që duhet ndërmarrë për implementimin efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, raporton Ekonomia Online.
Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është miratuar të enjten nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 76 vota për dhe asnjë.
Drejtoresha e kësaj organizate, Donjeta Kelmendi tha se KOMF-i ka qenë pjesë integrale e grupit punues për hartimin e projektligjit dhe në vazhdimësi ka apeluar për aprovimin e tij.
Sipas saj, me këtë ligj sigurohen të drejtat e fëmijëve nga dhuna, abuzimi dhe forma të tjera të keqtrajtimit.
“Jemi mundur që bashkë me organizata anëtare që të bëjmë një ligj që mundëson avancimin e të drejtave të fëmijëve me standarde ndërkombëtare”.
Ajo ka sqaruar se janë duke punuar për hartimin e formulës së financimit të shërbimeve sociale dhe krijimit të grantit specifik për shërbime sociale, në mënyrë që të sigurohet minimumi i financimit të shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve.
Ajo shtoi se KOMF si pjesë e grupit punues për hartimin e formulës sëfinancimit, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme për paraqitur nevojat reale dhe për të ndarë buxhetin e adekuat për fëmijët.
KOMF rekomandoi krijimin dhe aplikimin sa më parë të grantit specifik për shërbime sociale, i cili në aspektin buxhetor do të mbështesë edhe procesin e implementimit efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.
“Pas një presioni që e kemi bë në Kuvend sidomos muajt e fundit në mënyrë që ai të aprovohet. Tani më duhet të fokusohemi që pas hyrjes në fuqi, ftojmë institucionet qoftë nivel komunal dhe qendrore që të planifikojnë hapat për implemtimit të ligjit”.
“Jemi të hapur që të ofrojmë mbështete që të ndihmojë në procesin e zbatimit të ligjit. Ne kemi mbështetur 7 komuna në hartimin e rregulloreve për mbrojtjen e fëmijëve, ftojmë edhe komuna tjera të bëjnë të njëjtë gjë”.
Burim Behluli drejtor Nacional për Zhvillim të Programeve në SOS Fshatrat e Fëmijëve, ka bërë thirrje që ligji të dekretohet nga presidenti dhe të mos jetë sikurse ligjet e tjera i pa zbatuar.
“Si shumë ligje të tjera shpresojmë që ky ligj nuk do ta ketë atë fat, por të krijohet edhe legjislacionin sekondar dhe të merren hapa tjerë aktiv për implementimin e tij”.
Ky koalicion i OJQ-ve, ditë më parë mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media përpara objektit të Kuvendit të Kosovës, ku i bëri edhe një herë thirrje Kuvendit të miratojë sa më parë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Gjithashtu KOMF-i dorëzoi tek të gjithë deputetët e dokumentin me kërkesën për miratimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.