KOMF lanson fushatën “Ti je forca”, vlerësohet roli i punëtorëve socialë në mbrojtjen e fëmijëve e familjeve në nevojë

Prishtinë | 16 Nën 2023 | 15:52 | Nga Loresa Selimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), ka bërë hapjen e fushatës nacionale vetëdijesuese “Ti je forca”, raporton Ekonomia Online. Aty u tha se qëllimi i fushatës është promovimi i rolit dhe rëndësisë së punëtorit social dhe shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë duke mos anashkaluar rolin e punëtorit social në Kosovë i cili është i një rëndësie të madhe për mirëqenien e qytetarëve të cenueshëm, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në nevojë.

Donjetë Kelmendi, drejtoreshë ekzekutiv e KOMF-it, tha se në kuadrin e shërbimeve sociale të ofruara përmes institucioneve publike dhe organizatave joqeveritare, punëtorët socialë luajnë rol të shumëfishtë për mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve.

Sipas saj, punëtorët social ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për fëmijët, familjet dhe qytetarët në nevojë, lehtësojnë qasjen në shërbime, veprojnë si ndërmjetës midis qytetarëve dhe shërbimeve sociale në dispozicion.

“Në Kosovë ka 38 qendra sociale. Ofruesit e punës sociale kanë nevojë për mbështetje sepse kanë shumë punë edhe pse nuk kanë kushte të mira, këta bëjnë punë të madhe për këtë arsye KOMF iu ndihmon shumë këtyre punëtorëve me qëllim të rritjes së cilësisë si edhe monitorimin e ligjit. Kemi hartuar doracakun për të iu dalë në ndihmë komunave dhe kemi mbajtur tryeza diskutimi. Kjo fushatë është një thirrje për mbështetje të punëtorëve social”.

Nona Zicherman, shefe e Zyrës së UNICEF në Kosovë, theksoi se në këtë fazë ka shumë rëndësi të diskutohet për mbrojtjen e fëmijëve, kur bota është në krizë dhe kur po vriten shumë fëmijë në Gaza.

“Në Kosovë fëmijët duhet mbrojtur nga dhuna  dhe abuzimi dhe për këtë duhet të merren profesionistët që t’i mbrojmë fëmijët tanë nga abuzimi dhe keqtrajtimi, duke mos harruar punën e dedikuar të punonjësve civil”.

Anna Toness, drejtor i Programeve dhe Politikave USAID në Kosovë, tha se në kohën e pandemisë shumë sisteme patën probleme.

“ShBA-ja e ndihmoi shumë Kosovën përmes UNICEF-it. Shumë shpesh punonjësit social nuk kanë vëmendjen e duhur, por ne e dimë që mbas gjithë kësaj pune kaq të madhe ndodhen ata, prandaj edhe e gëzojnë respektin tonë”.

Vlora Limani-Hajnuni, këshilltare Politike për Mirëqenien Sociale në Ministrinë e Drejtësisë, tha se kanë hartuar politike që synim kanë përmirësimin e shërbimeve sociale.

“Projektligj për këtë çështje ka kaluar në fazën e parë në Kuvend dhe së shpejti do zbatohet. Ky projektligj për Shërbime Sociale edhe Familjare është hartuar së bashku më shoqërinë civile, dhe do të ndihmojë të gjitha viktimat dhe do zhvillojë trajnime që të iu ndihmojë për punë cilësore punonjësve social”.

Blerim Shabani, kryetar i Asociacionit të Qendrave për Punë Sociale, tha se profesionistët luajnë rol të rëndësishëm në promovimin dhe avancimin e të drejtave të personave të cenuar, raporton EO.

Sebahate Beqiri, anëtare Bordit Drejtues të KOMF-it, theksoi se shërbimet sociale kanë arritur t’i vendosin në agjenda të institucioneve rëndësinë e shërbimeve sociale.

“… shërbimi është i rëndësishëm për një individ  më aftësi të kufizuar dhe për këtë duhet ende të punohet, situata sot është me e mirë po jo e kënaqur sepse ende fëmijët me aftësi kanë probleme. Kemi identifikuar shumë raste në vitin 2023 ende kemi  fëmije në vende rurale të cilët kanë probleme tepër të mëdha madje kemi identifikuar fëmijë që s’kanë qenë në shkolla”, tha ajo.

Në mbyllje të fushatës u shfaq një video vetëdijesuese, e cila paraqet rëndësinë e punëtorëve social për fëmijët dhe familjet e cenueshme.

Kjo fushatë u mundësua  në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, mbështetur nga UNICEF në Kosovë në partneritet me USAID në Kosovë.

Të ngjashme