Formimi i Komisioneve Hetimore Parlamentare po shihet si trend i ri në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës. Aktualisht janë funksional Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018; Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.
Edhe pse po shihen si iniciativa të qëlluara, me skepticizëm po shihet zbatimi i rekomandimeve që mund të dalin. Shkak i kësaj po cilësohet të jetë edhe mos kredibiliteti i anëtarëve të komisioneve i tha Ekonomia Online Artan Murati, nga Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).
Ai thotë se pritshmëritë e këtyre komisioneve hetimore nuk janë mjaftë të kënaqshme dhe se vështirë që do zgjidhin ndonjë çështje me përbërje të tillë.
“Ky është një trend i ri të paktën në legjislaturën e saj i krijimit të më shumë komisioneve hetimore parlamentare gjë që në esencë është lajm i mirë, mirëpo kur po vjen puna tek funksionalizimi dhe mënyra se si po funksionojnë këto komisioneve, kjo len shumë për tu dëshiruar dhe po shohim që nuk është se po mundemi të marrim rezultatet e pritshme nga këto komisione. Problemi kryesor po qëndron tek përbërja e komisioneve dhe tek delegimi i deputetëve prej grupeve parlamentare”.
“…është me rëndësi të mbahet një lloj bilanci në komision por edhe tu ofrohet qasje deputetëve të cilët kanë kredibilitet edhe deputetët që kanë fuqi më të madhe politike dhe një seriozitet më të madh të punës, tek komisioni hetimor për PTK-në dhe Valën, kemi deputet që janë pjesë e komisionit e që janë apostrofuar se anëtarë të familjes të atyre deputetëve veç janë punësuar në baza partiake dhe kjo e dëmton edhe kredibilitetin e vetë komisionit”.
Murati e përmend edhe intervistimin e presidentit Hashim Thaçi në komisionin hetimor për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, i cili sipas tij, ka qenë shumë “qesharak”.
“Problemi tjetër është edhe te vetë qasja që deputetët po e kanë përbrenda komisionit, karshi palëve të treta të cilat po i ftojnë, ne e pamë rastin e fundit të raportimit të presidentit Thaçi, para deputetëve dhe e pamë sa qesharake doli gjithë ajo skenë me gjithë faktin se deputetët brenda nuk kanë koherencë dhe nuk e dinë as ata vetë për mënyrën se si ti qasen problemeve”.
“I kemi deputetët e opozitës të cilët deklarojnë diçka tjetër dhe deputetët e koalicionit qeverisës të cilët me çdo kusht e mbronin presidentin, kjo i bëri qesharak edhe deputetët por edhe presidentin, përkundër faktit që është mirë që po ka komisione hetimore, në fund të ditës nuk është që po shohim rezultate të cilat do ti kënaqnin pritshmërinë e qytetarëve tanë”.
Kurse deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh anëtare e komisionit hetimor për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, Ganimete Musliut thotë se ky komision më së paku ka qenë komision hetimor.
Madje sipas saj ky komision ka qenë komplet një qasje politike, i cili është përdorur për show medial.
“Jo që ka pasur, por ka në vazhdimësi tendenca për përfitime politike, që nga dita e parë e themelimit të këtij komisioni e deri më tani edhe me vazhdimin e mandatit ne nuk po arrijmë ta përfundojmë punën me kohë, ne kemi puro-politike në këtë komision, aspak nuk ka qenë komision hetimor, ka qenë komplet komision parlamentar politik që dikujt i ka konvenuar me bo show medial dhe me qenë prezent në politikën e Kosovës”.
Musliu thotë nuk ka ndonjë pritshmëri nga ky komision, madje për degradimin e këtij komisioni, ajo e fajëson deputetin Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla si dhe deputetin e LDK-së Driton Selmanaj.
“Po mundohem me qenë shumë konkrete, që nga dita e parë e themelimit të këtij komisioni është bërë politikë dhe unë nuk pres asgjë nga komision, thjesht do i kemi edhe 3 4 ditë ndoshta ku do ta kenë mundësinë udhëheqësit e këtij komisioni, më vjen shumë keq prej Xhelal Sveçlës në nivelin që ka ra prej politikave të ulëta të nënkryetarit Driton Selmanaj”.
Më optimiste për rezultatet e këtyre komisioneve është, bashkëpartiakja e Musliut, deputetja Blerta Deliu-Koda, anëtare e komisionit hetimor për PTK dhe Vala. Deliu-Kodra thotë se në komisionin që ajo është anëtare vërehet se ka një atmosferë të punës pozitë e opozitë.
“Deri më tani kryesisht ka pasur një atmosferë të punës pozitë e opozitë. Unë uroj që të vazhdojë kjo atmosferë e mirë e bashkëpunimit me të gjithë deputetë. Besoj që interesi i të gjithëve është që ne të hetojmë nëse ka ndodhur parregullsi dhe cilat janë ato parregullsi dhe të mos jepi jemi pjesë e agjendave tona politike, por të shohim se cili është interesi për të shpëtuar ndërmarrjen dhe për të evidentuar gjithë ato shkelje brenda kompanisë”.
Edhe pse thotë se është herët që të flitet për rezultate, lavdëron punën e deritanishme.
“Besoj që jeni të vetëdijshme se po, që kemi pa që në ta kaluarën ka pas, deri tash komisioni hetimor në të cilin po punojmë bashkë me kryetarin Visar Ymeri ka funksionuar mirë. Mbetet me u pa gjatë ditëve në vazhdim aktiviteti i këtij komisioni sepse ka një mandat gjashtë mujor dhe ka ende kohë për të parë rezultatet”.
Deliu-Kodra më tutje thotë se nëse nuk përzihet agjendat partiake me punën dhe planin e Komisionit atëherë mund të pritet rezultatet. Javët në vazhdim ajo thotë se Komisioni do të ketë punë intensive, pasi pritet që do të intervistohen dëshmitarët, raporton EO.
“Kemi pa raste kur ka pasur raste të përplasjes në agjenda politike, por nuk ka pas përplasje në argumente për të cilat është themeluar në fakt ai komision hetimor. Varet prej dinamikës së punës edhe aktivitetit që e kanë deputetët, ne jemi tek në fazën finale kemi bo një plan të punës së komisionit hetimor për PTK-në”.
“Ka një vullnet të deputetëve që t’i dalim në krye dhe te nxjerrim një përfundim në punën tonë hetimore. Javën tjetër veç fillon intervistimi i dëshmitarëve dhe me që është fillimi i kësaj faze nuk po dua me paragjykuar asgjë besoj që mediet do të jenë gjatë gjithë kohës në takimet tona për të pa cilat do të jenë të dhënat dhe argumentet që ne do t’i nxjerrim nga ata që janë dëshmitarë”.