Në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është vlerësuar pozitivisht për rritjen e të hyrave, luftën kundër evazionit fiskal dhe avancimin në digjitalizimin e shërbimeve.
Në Kapitullin 16, raporti thekson se Kosova ka arritur “nivel të qëndrueshëm përgatitjeje” në politikat tatimore, me përparim në kontrollet e bazuara në rrezik dhe formalizimin e ekonomisë.
Gjatë periudhës raportuese, të hyrat e ATK-së arritën mbi 977 milionë euro (+11.6%), ndërsa 179 milionë euro borxh tatimor u inkasuan (+8%). Po ashtu, kërkesat për rimbursim të TVSH-së janë trajtuar mesatarisht brenda 25 ditësh.
Raporti përmend avancimin e rregullave për transferimin e çmimeve sipas udhëzimeve të OECD-së, forcimin e menaxhimit të rrezikut dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional kundër evazionit fiskal.
Komisioni rekomandon përmirësime të mëtejshme në kapacitetet profesionale dhe modernizimin e sistemeve IT, ndërsa ATK ka theksuar përkushtimin për të ndërtuar një administratë moderne dhe transparente në përputhje me standardet evropiane.