Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka shqyrtuar kërkesën për buxhet, si dhe ka formuar grupet hetuese në kuadër të Komisionit, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Komisionit, Visar Ymeri, tha se kanë nevojë për buxhet shtesë pasi që dëshmitarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës, duhet tu mbulohen shpenzimet e udhëtimit që vijnë në komision për të dëshmuar.
“Ka nevojë me shtuar buxhet në komision për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit për dëshmitarët të cilët nuk jetojnë në Kosovë”, tha Ymeri.
“Kërkoj votë formale prej juve ta dorëzojmë këtë buxhet të plotësuar në kryesi dhe kam kërkesë për grupet parlamentare që të enjten është vazhdimi i seancës dhe kërkoj të merrni miratim nga grupet parlamentare që me kërkuar në fillim të seancës si pikë të rendit të ditës ta fusim votimin për buxhetin e komisionit”, tha ai.
Ymeri tha se duhet të krijohet një grup punues me tre nëngrupe për hetime të ndryshme.
“Ne do të krijojmë një grup hetues për hetimin e dokumenteve dhe më pas në krijohen 3 nëngrupe: për hetimin e kontratave për palë të treta, për hetimin e vendimeve të qeverisë lidhur me PTK shpenzimet e bordeve dhe menaxhimeve, për hetim të kontratave të marketingut sponzorizimeve dhe qirasë”, tha Ymeri.
Deputeti nga NISMA, Milaim Zeka, tha se komisioni tashmë ka në duar edhe kontrata tjera edhe më të rënda se sa ajo me ZMobile.
Sipas tij, këto kontratat i kanë dhënë njerëzit që punojnë brenda këtyre institucioneve.
“Kanë filluar të vijnë informacione të mira dhe të rëndësishme për komisionin nga njerëzit që punojnë brenda Valës dhe Telekomit, kontrata me Terrakomin është më e rëndë se sa ajo me Zmobile, me Terrakomin ishte kontratë prej 700 mijë euro në muaj i kanë paguar kësaj kompania maqedonase dhe bullgare dhe ne këtë kontratë e kemi”, tha Zeka.
Kryesuesi, Ymeri tha se komisioni do t’i dërgoj letër kryeministrit Ramush Haradinaj një kërkesë që përderisa komisioni është duke hetuar të mos ndërmerret asnjë vendim.
“Me përpiluar një letër të i dërgohet kryeministrit që ai më pas e shpërndan në institucionet tjera si PTK dhe me kërkuar mos me u ndërmarrë asnjë veprim i cili është i paprapakthyeshëm për aq kohë sa komisioni është në hetim”, tha Ymeri.
Ymeri njoftoi se të mërkurën në ora 10:00 do të intervistohen tre persona, secili nga një orë, raporton Ekonomia Online.